×
  • Lajme
  • Lajme

    Ish-ambasadori Hamiti: Vuçiq autokrati i parapëlqyer i Perëndimit në Evropë, nuk i dënuan deklaratat e tij për Reçakun

    Reporteri
    08 Dhjetor 2019 | 23:00

    Ish-ambasadori i Kosovës në Britani të Madhe, Muhamet Hamiti, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq për masakrën e Reçakut, i cili kishte thënë se është fabrikim dhe që nuk ka ndodhur në të vërtetë.


    Hamiti ka shkruar në Facebook se presidenti i Serbisë është me sa duket autokrati i parapëlqyer i Perëndimit në Evropë.

    “S’kemi parë ende dënim pa ekuivoke të deklaratave të Vuçiqit ‘për liderin e madh Millosheviq’, që i bëri vitin e kaluar në Mitrovicë, apo mohimin që i bëri ky këto ditë dhjetori masakrës së Reçakut”, ka shkruar ai, shkruan Reporteri.net.

    Postimi i tij:

    Nuk ka dënim pa ekuivoke të deklaratave të Vuçiqit

    Presidenti i Serbisë është me sa duket autokrati i parapëlqyer i Perëndimit në Evropë. S’kemi parë ende dënim pa ekuivoke të deklaratave të Vuçiqit ‘për liderin e madh Millosheviq’, që i bëri vitin e kaluar në Mitrovicë, apo mohimin që i bëri ky këto ditë dhjetori masakrës së Reçakut të janarit të vitit 1999, kur u vranë dhjetëra shqiptarë prej trupave të Qeverisë së Millosheviqit. Në kabinetin e luftës të Kasapit të Ballkanit bënin pjesë edhe Vuçiqi e Daçiqi, liderët aktualë të Serbisë.
    Shpesh na bie të dëgjojmë lëvdata nga politikanë e diplomatë perëndimorë për liderin e ‘guximshëm’ Vuçiq, duke e parë si të reformuar e madje demokrat. Vetëm rrallë, pa ia përmendur emrin, rrotull, ndonjë kritikë të butë për të, si tue e marrë me të mirë kur shkallon me deklarata si këto që u përmendën.
    I guximshëm është Vuçiqi kur mohon luftën gjenocidale të Serbisë kundër shqiptarëve dhe Kosovës, ndërsa masakrat si ajo e Reçakut, gjerësisht e dëshmuar si e tillë në sistemin ndërkombëtar, i quan ‘fabrikime’. I gjithë establishmenti i Serbisë është i guximshëm në këtë pikë.

    https://www.facebook.com/muhamet.hamiti.33/posts/10157890224029828

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!