Dardan Molliqaj, ka folur për herë të parë si kryetar i Partisë Socialdemokrate, të cilën pozitë e mori sot pas dorëheqjes së shpend Ahmetit.
Molliqaj përmes një shkrimi në Facebook thotë se PSD sot iu përgjigj thirrjes për të mos e ndalur përpjekjen, përkundër zhvillimeve të fundit elektorale.
Ai thotë se ka pranuar që ta udhëheq PSD-në në këtë fazë të vështirë, ngase beson që tek çdo dështim mbarset një përpjekje e re, shkruan Reporteri.net.
Molliqaj që në deklarimin e parë si kryetar i PSD-së ndonëse nuk e ka përmendur emrin, ka thumbuar Kurtin, duke thënë se përtej iluzionit të ndryshimit, Kosovën po e pret qeverisja populliste me mendësi totalitare.
“Dhe derisa me entuziazëm, popullistët e rinj, parashikojnë që nuk do të ketë opozitë as alternativë përballë pushtetit të tyre, ne do të jemi këtu t’ua kujtojmë që historia s’merr fund me ta. Që ka ende njerëz në Kosovë që besojnë në progres. Ka ende njerëz në Kosovë që nuk i tremb hegjemonia e pushtetit të ri. Që ka ende njerëz në Kosovë që popullizmin e tyre do ta sfidojnë me politikë të majtë progresive. Dhe këta njerëz, një ditë do të bëhen shumë”, ka shkruar ndër të tjera ai.
Postimi i tij:
Të dashur miqë, aktivistë e aktiviste,
Sot Partia Socialdemokrate iu përgjigj thirrjes tuaj për të mos e ndalur përpjekjen, përkundër zhvillimeve të fundit elektorale. Sot treguam që nuk e shohim politikën përmes rezultatit afatshkurtër zgjedhor, por përmes idealeve dhe kauzave që u besojmë.
Pranova zgjedhjen tuaj që ta udhëheqi PSD-në në këtë fazë të vështirë, ngase besoj shumë që tek çdo dështim mbarset një përpjekje e re; dhe besoj shumë që rruga e progresit dhe fitores kalon pashmangshëm nëpërmes dështimeve. Vetëm ata që nuk zmbrapsen para krizave mund të prodhojnë diçka të re në politikë.
Përtej iluzionit të ndryshimit, Kosovën po e pret qeverisja populliste me mendësi totalitare. Dhe derisa me entuziazëm, popullistët e rinj, parashikojnë që nuk do të ketë opozitë as alternativë përballë pushtetit të tyre, ne do të jemi këtu t’ua kujtojmë që historia s’merr fund me ta. Që ka ende njerëz në Kosovë që besojnë në progres. Ka ende njerëz në Kosovë që nuk i tremb hegjemonia e pushtetit të ri. Që ka ende njerëz në Kosovë që popullizmin e tyre do ta sfidojnë me politikë të majtë progresive. Dhe këta njerëz, një ditë do të bëhen shumë.
Vetëm përmes perspektivës së aktivizmit dhe angazhimit këmbëngulës, mund të shohim përtej pashpresës e zhgënjimit. Bashkë, sot e pamë të ardhmen tonë në politikë. Të ardhmen si përpjekje e pandalshme edhe kur gjithçka përreth na thotë të ndalemi; të ardhmen si rrugë përplot me vështirësi, sfida e përbuzje. Por të ardhmen që në fund patjetër do të jetë e ndritur ?
Ju falenderoj për entuziatmin e mbështetjen që e treguat sot. I falenderoj gjithë strukturat e deritashme drejtuese të PSD-së, së bashku me të cilët i përballëm fazat e vështira të së kaluarës.
https://www.facebook.com/photo.php?fbid=751856321982169&set=a.157981038036370&type=3