Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka mbajtur një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.
Haradinaj në këtë konferencë ka folur për temat aktuale në vend e ndër të tjera edhe për vonesat në krijimin e institucioneve të reja të vendit.
Haradinaj ka thënë se për këto vonesa barra kryesore bie mbi partinë që doli e para në zgjedhjet e 6 tetorit, pra Lëvizjen Vetëvendosje, shkruan Reporteri.net.
“Keni parasysh se është mirë institucionet e vendit me u kriju sa më shpejtë. Barra bie mbi fituesin, Vetëvendosjen me i ndërtu institucionet. Vonesa nga fituesi në këtë rast është menjëherë minus për ta. Për ata që kanë premtu zhvatjen e shtetit, ata kanë mujtë me qenë sot në Qeveri. Punët që po i kryej sot duhet me i kry se bankroton Kosova”, ka thënë ndër të tjera Haradinaj.
Ai ka shprehur edhe një herë besimin se Qeveria Kurti do të jetë qeveri e dështimit.
“Nuk mendoj se do të jetë qeveri që ka me i përmbushë vullnetin e qytetarëve. Unë pres që qeveria që vjen ka me qenë shumë e dobët. Mirëpo është shumë më keq mos me u kriju qeveria”, ka thënë Haradinaj. /Reporteri.net