Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt ka folur për vonesat në krijimin e qeverisë së re, për pritjet e shtetit gjerman ndaj institucioneve të Kosovës si dhe për luftën kundër korrupsionit dhe për investimet gjermane në Kosovë.
Ambasadori Heldt ka thënë se periudha kohore prej dy muajsh deri në certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve ishte çështje pak sa e vështirë për t’ia sqaruar qeverisë në Gjermani se pse ndodhi kjo.
“Periudha kohore prej dy muajsh deri në certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve ishte çështje pak sa e vështirë për t’ia sqaruar qeverisë në Gjermani. Unë shoh hapësirë për përmirësim në shumë aspekte, nëse më në fund edhe zbatohen rekomandimet e misioneve vëzhguese të BE-së. Taksapaguesit evropianë paguajnë miliona për të mbështetur proceset zgjedhore në Kosovë, ashtu që edhe ne duam të shohim përparim. Asnjë nga rekomandimet e vitit 2017 nuk është zbatuar në praktikë. Kjo është edhe më shumë për keqardhje marrë parasysh që dita e zgjedhjeve dhe disponimi përgjithësisht pozitiv i votuesve, zyrtarëve dhe vëzhguesve dëshmuan sigurinë dhe normalitetin në rritje të Kosovës në këtë proces. Procesi që dukej se nuk po merrte fund i rinumërimit të votave dhe shqyrtimit të ankesave fatmirësisht deri tani nuk ka pasur ndikim negativ, por tani që të gjithë ne duam t’i kthehemi punës. Bota vazhdon të lëvizë dhe qytetarët këtu e meritojnë t’u respektohet vota e dhënë në tetor dhe të formohet qeveria”, ka deklaruar Heldt për Telegrafin.
Lidhur me pritjet e tij për qeverinë e re, ambasadori Heldt ka thënë se ajo duhet të punojë për popullin.
“Të punojë për këtë vend dhe popullin e tij. Ne, si partnerët më së shumti të angazhuar në Kosovë, që në gusht e kemi thënë çfarë do të çmonim si kornizë për bashkëpunimin dhe mbështetjen e mëtejme. Nuk ka shumë për t’i shtuar asaj deklarate, sepse varet nga partitë fituese, LVV dhe LDK të vendosin për pikat e përbashkëta programore të agjendës së tyre të përbashkët qeverisëse. Dhe me sa kuptoj unë, pa e parë përmbajtjen, ata duket se kanë mirëkuptim të ndërsjellë. Kjo është gjë e mirë, sepse njerëzit me të drejtë presin nga të dy palët që ato ta ndajnë një agjendë qeverisëse ambicioze dhe përmbajtjesore. Ne, si partnerë jemi këtu për ta mbështetur atë, siç e kemi bërë në të kaluarën. Prandaj është esenciale të jesh në gjendje të punosh me një qeveri të dijshme, profesionale për t’ua kthyer qytetarëve më të shumtën nga ajo që ne arrijmë së bashku. Prandaj përkushtimi për shtetin dhe shërbimi ndaj qytetarëve në shërbimin shtetëror janë të barasvlershme në të gjitha nivelet. Dhe lufta kundër korrupsionit dhe nepotizmit, përqendrimi në sundimin e ligjit, të gjitha këto janë çështje me të cilat pajtohem plotësisht dhe të cilat do t’i mbështesë”, ka pohuar ai.
Kurse i pyetur se a duhet të përfshihet edhe Lista Serbe në Qeverinë e re, ambasadori gjerman ka dhënë këtë përgjigje.
“Në gjermanisht ka një shprehje që thotë shqyrtimi i ligjit mund gjithmonë të jetë iluminues. Në këtë rast, Neni 96 i Kushtetutës së Kosovës me pesë paragrafët e tij e ndriçojnë rrugën për të gjetur përgjigjen në pyetjen tuaj”.