Sanije Rexha, gruaja e “Sandokanit”, për të cilën sot Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur akatakuzë për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, ka thënë se para se të ngritet kjo aktakuzë ajo ishte kërcënuar nga EULEX-i.
Rexha që është Drejtoresh e Departamentit të Familjeve të Dëshmorëve dhe Invalidëve ndër tjera ka thënë se është krenare me punën që e ka bërë deri tash lidhur me verifikimin e veteranëve.
“Jam krenare që kam shku edhe i kam pranu këto raste edhe cdo rast që e kam ba jam krenare , s’ka qenë e imja me ditë a janë veteranë a s’janë..ky epilog ka fillu prej Eulex’it…para se me u ngritë kjo aktakuzë Eulex më ka kërcënu që kemi njerëz që bashkëpunojnë dhe kena me të shkatërru atë e ka fillu Shqipe Krasniqi”, ka thënë Rexha për Express.
Kjo listë me emra të veteranëve nga Shqipëria, sipas Rexhës, më herët ishte hetuar nga Prokuroria, por nuk kishte gjetur asnjë shkelje.
“Drejtoria pasi i ka marrë i ka kthye me datën si të rregullta, janë hetu këto landë edhe i ka kthy që këto gëzojnë të drejtën prej prokurorit jo Sanije Rexhës, dhe kanë thanë që nuk kanë gjetur asnjë shkelje dhe janë fut në sistem. Këtë padi e ka ngritë shqipe Krasniqi, pastaj i kanë vendos edhe kamerat në zyrën time prej 2017, pastaj përgjimet në telefon janë përgjuar krejt familja” shton ajo.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ushtrim i ndikimit.
Në mesin e të akuzuarve është Sanije Rexha, ndryshe gruaja e ish-komandantit të UÇK-së, Abedin Rexha, i njohur si “Sandokani”.
Në njoftimin e PSRK-së thuhet se prokurori special, Blerim Isufaj, e ka ngritur këtë aktakuzë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
“Prokuroria Speciale njofton se e pandehura, S.R. në cilësi të personit zyrtar, Udhëheqëse e Divizionit për Kontroll të Brendshëm dhe të Jashtëm në DIFDL të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe i akuzuari K.B. person zyrtar në të njëjtin departament të ministrisë së njëjtë, gjatë muajit tetor të vitit 2017, në bashkëveprim, kanë shfrytëzuar pozitat e tyre zyrtare. Dy të akuzuarit, i kanë tejkaluar autorizimet zyrtare, pa autorizim kanë marrë nga DIFDL 31 formular për aplikim për njohjen e të drejtës së veteranit të luftës dhe kanë shkuar në Republikën e Shqipërisë, në qytetin e Krujës ku kanë plotësuar 31 formular për aplikim për persona të ndryshëm nga Republika e Shqipërisë. Të dy të akuzuarit, më pas formularët e plotësuar i sollën në Kosovë, dhe i dorëzuan në DIFDL të MPMS, të cilët deri më 30.11.2019, përfituan nga statusi i veteranit të luftës në shumë prej 133.280.00 euro, në mënyrë të kundërligjshme”, thuhet në njoftimin e PSRK-së.