Anton Quni, i cili ka siguruar sërish mandat të deputetin edhe në legjislaturën e re të Kuvendit, beson se partia e tij LDK dhe VV do të arrijnë marrëveshje të koalicionit qeverisës para 26 dhjetorit, kur mbahet seanca konstituive.
Quni ka shtuar se me LVV-në kanë më shumë interesa që i bashkojnë sesa që i ndajnë.
“Janë shumëfish më të mëdha interesat që na bashkojnë karshi pengesave që kemi aktualisht e për të cilat ka angazhim dhe vullnet maksimal për t’i tejkaluar”, tha Quni.
Deputeti i LDK-së, ka shtuar se të dy liderët e partive Mustafa e Kurti po punojnë dhe angazhohen maksimalisht për arritjen e marrëveshjes.
“Përafrimi në platformën e përbashkët për qeverisje të mirë në pothuajse të gjitha çështjet, pastaj arritja e pajtueshmërisë për marrjen e përgjegjësive në kabinetin e përbashkët qeveritar është aq i madh karshi pengesave të vogla të cilat unë besoj që Mustafa-Kurti do t’i tejkalojnë para seancës konstituive të Kuvendit”, u shpreh Quni për Telegrafin.
Quni shtoi se qytetarët janë në pritje të ndryshimit qeverisës për të cilin ata votuan, dhe se ai beson fort që së shpejti kjo gjë të ndodh.