Kongresistët e Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, organ i mbizotëruar nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike, do të votojnë sot për fillimin e hetimeve kundër presidentit amerikan, Donald Trump.
Autoritetet kanë vendosur masa të rrepta sigurie përreth ndërtesave të organeve shtetërore dhe kjo gjë është vërejtur që të martën në mbrëmje. Debati pritet të fillojë pas orës nëntë të mëngjesit sipas kohës lokale dhe do të zgjasë gjashtë orë.
Koha e debatit do të ndahet në mënyrë të barabartë mes anëtarëve republikanë dhe demokratë. Disa anëtarë do të kenë të drejtë të flasin vetëm për një minutë dhe nuk do të pranohet asnjë amendament për rezolutën e hetimeve.
Procesi vendimtar i votimit pritet të zhvillohet në orët e mbrëmjes dhe secili nen i rezolutës për hetime do të votohet veç e veç, shkruan “Fox News”, transmeton Gazeta Express.
Rregullat për debatin dhe votimin e së mërkurës u caktuan paraprakisht të martën në mbrëmje nga Komisioni për Rregullat e Dhomës së Përfaqësuesve. Procedurat u miratuan me përkrahjen e 9 anëtarëve, ndërsa katër të tjerë votuan kundër tyre, shkruan “Fox News”, transmeton Express.
Nëse rezoluta miratohet nga Dhoma e Përfaqësuesve, e cila është dhoma e ulët e Kongresit, atëherë dokumenti dërgohet në Senat. Senati mbizotërohet nga anëtarët republikanë dhe gjasat që rezoluta të miratohet në këtë organ janë të vogla.
Ndryshe, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dje i ka akuzuar zyrtarët e lartë të Partisë Demokratike për shpallje të luftës së hapur ndaj demokracisë amerikane, vetëm një ditë para votimit historik.