Albin Kurti dhe Isa Mustafa pritet që nesër serish të ulen përballë njëri tjetrit, në përpjekje të re për të arritur marrëveshjen për bashkëqeverisje.
Burime të Gazetës Online “Reporteri.net”, thonë se kreu i VV-së dhe ai i LDK-së kanë paraparë që të enjten të takohen sërish.
Takimi i fundit Kurti-Mustafa ishte mbajtur të shtunën në mbrëmje, dhe kishte përfunduar me marrëveshjen e vetme që të takohen serish.
Nga ky takim, Kurti e Mustafa reflektuan se janë larguar nga arritja e ndonjë marrëveshje mes VV-së dhe LDK-së, përkundër se takimi paraprak ishte dukur sikur marrëveshja ishte punë e kryer.
VV dhe LDK kanë edhe një javë kohë që të të pajtohen mes vete, deri në seancën konstituive të Kuvendit që presidenti Hashim Thaci e ka thirrur për 26 dhjetor, një ditë para se të rrumbullaksohet afati kushtetues që ofrohet për betim të deputeteve pas certifikimit të rezultateve zgjedhore.
Ajo që dihet është se Kurti e Mustafa janë pajtuar që VV dhe LDK të marrin hise nga 5 Ministra, nga 12 sosh sa kanë paraparë të jenë në ekzekutivin e ardhshëm. Dy ministri tjera u janë lënë komuniteteve.
Po ashtu, VV e LDK janë pajtuar parimisht që të parës t’i takojë posti i Kryeministrit, ndërsa e dyta të marrë Kryekuvendarin e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës. Por, posti i Presidentit e ka lënë peng arritjen e marrëveshjes, pasi LDK-ja insiston që t’i takojë partisë së Isa Mustafes, ndonëse ky i fundit nuk synon të ulet vetë në këtë karrige pas Hashim Thaçit që e mbanë deri në pranverën e vitit 2021.
Nga ana tjetër, VV-ja fillimisht ka kundërshtuar që posti i Presidentit të përfshihet në marrëveshje politike mes dy partive, e më pas kanë insistuar që kandidati i përzgjedhur me marrëveshje për President të jetë konsensual. /reporteri.net