Isa Mustafa, i bindur, ka thënë se nëse nuk arrihet marrëveshja me Lëvizjen Vetëvendosje, atëherë LDK-ja do të qëndrojë në opozitë. Ky sipas kreut të LDK-së është ‘Plani B’ i partisë së tij.
Ai tha se këtë ia ka bërë të qartë kryetarit të VV-së në takime, se ‘Plani B’ i LDK-së është vetëm opozita, në rast se nuk arrihet marrëveshja për bashkëqeverisje VV-LDK.
“Edhe Vetëvendosje na ka pyet se a keni ju Plan B. Ne u kemi thanë që plani B i joni është që të shkojmë në opozitë. Asnjë plan tjetër nuk kemi dhe asnjë veprim tjetër nuk do ta marrim”, tha Mustafa para gazetarëve në konferencën për media që mbajti pasi takojë Këshillin Drejtues të partisë.
Ai hodhi poshtë çdo mundësi që LDK-ja të përfshihet në kombinacione tjera politike, në rast se nuk pajtohen me Kurtin.
“Në qoftë se ne e bëjmë qeverisjen me Lëvizjen Vetëvendosje e bëjmë, në qoftë se nuk e bëjmë ne nuk pranojmë asnjë mandat nga Presidenti apo marrëveshje me partitë tjera”, garantoi kryetari i LDK-së.
Ndryshe, takimi i ardhshme Kurti-Mustafa, siç ka raportuar Gazeta Online “Reporteri.net”, me burime, pritet të ndodhë të enjten. Paraprakisht, Kurti e Mustafa ndaras do të takojnë një delegacion nga Bunderstagu gjerman.