Më shumë se dhjetë mijë dokumente me prova që dëshmojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, Ministria e Punëve të Jashtme ia ka dorëzuar Prokurorisë Speciale.
Por, njohësit e drejtësisë veprimin e ministrit në detyrë, Behgjet Pacolli, e shohin si shqetësues dhe të karakterit politik, raporton KTV.
Në Institutin e Kosovës për Drejtësi vlerësojnë se Pacolli do të duhej të intervistohej nga organet e drejtësisë se si kanë arritur të mblidhen këto prova dhe pse janë mbajtur në MPJ.
Gjithashtu, me këto veprime, sipas tyre, po dëmtohen familjarët e viktimave të luftës duke u dhënë shpresa.
E zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme thonë se janë të gatshëm për bashkëpunim me Prokurorinë Speciale.
Provat, sipas tyre, u siguruan që nga viti i kaluar, përmes rrugëve diplomatike.
Të martën e kaluar, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, njoftoi për këto prova, për të cilat tha se nuk janë trajtuar deri më tani.
Sipas MPJ-së, dokumentet të cilat tashmë i posedon Prokuroria Speciale, dëshmojnë për krime të kryera nga serbët gjatë luftës në Kosovë dhe me anë të tyre shteti i Kosovës mund ta padisë Serbinë për gjenocid.