Nazmi Rrustemi, roje pylli i Komunës së Prishtinës, u gjet i vdekur mbrëmjen e së mërkurës, në në afërsi të Liqenit të Badovcit. Vetura e tij e punës ndodhej pak metra larg trupit të pajetë, ndërkaq rrethanat e vdekjes janë ende të panjohura. Dyshimet e para nga hetuesit në vendin e ngjarjes janë se Rrustemi u vra me armë zjarri.
Në një pyll në afërsi të Liqenit të Badovcit, mbrëmjen e së mërkurës është gjetur trupi i pajetë i 63-vjeçarit, Nazmi Rrustemi.
Rrustemi dyshohet se u vra derisa ishte në terrenin të cilin e mbikëqyrte si inspektor i pyllit në Komunën e Prishtinës.
Fillimisht, lajmin për gjetjen e një trupi të pajetë, në rrethana ende të panjohura, e ka konfirmuar policia.
“Mund të ju konfirmoj që me datë 18.12.2019, rreth orës 21:50, në një distancë nga rruga Graçanicë – Gjilan, në pyll është gjetur një person vdekja e të cilit është konfirmuar nga ekipi i ambulancës. Njësitet policore janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të hetuar dhe sqaruar rrethanat e këtij rasti”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.
Ndërkaq, Prokuroria Themelore e Prishtinës, të enjten ka bërë të ditur për Express se dyshimet e para nga vendi i ngjarjes janë se Rrustemi është vrarë me armë zjarri.
“Në trupin e tij ka pasur plagë të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga arma e zjarrit. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për Obduksion”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.
Ndërkohë Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh ka konfirmuar zyrtarisht se bëhet fjalë për vrasje.
“Fshati Mramor, Prishtinë 18.12.2019-19:00. Raportohet se është gjetur pa shenja jete në pyll viktima mashkull K-Shqiptar. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar ku shihet se viktima është qëlluar me armë zjarri. Në vendngjarje kanë dalë njësitë përkatëse dhe prokurori publik”, theksohet në raportin e policisë.
Gjatë të enjtes, në vendin e ngjarjes kanë dalë zyrtarë të forenzikës si dhe të Policisë së Kosovës, për të bërë të gjitha analizat e nevojshme lidhur me rastin.
Për vrasjen e inspektorit të Komunës së Prishtinës ka reaguar edhe i pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti.
Përmes një statusi në Facebook, Ahmeti iu ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të zbardhet rasti dhe kryesit e veprës të sillen para drejtësisë.
“Mbrëmë Drejtoria e Inspeksionit është lajmëruar se është gjetur vetura e braktisur/hapur e njërit prej inspektorëve më të vjetër të pyllit të Komunës së Prishtinës N. Rr. në afërsi të Badovcit. Fatkeqësisht, pas arritjes së policisë është gjetur edhe trupi i pajetë i të ndjerit, i vrarë me armë zjarri, në zonën që e ruante si roje pylli. Nga Policia kërkojmë që sa më parë të zbardhet rasti dhe kryesit e veprës të sillen para drejtësisë. Ky rast edhe njëherë dëshmon rrezikun me të cilin përballen Inspektorët e Komunës”, ka shkruar Ahmeti.
63-vjeçari Nazmi Rrustemi, baba i katër fëmijëve, do të varroset të premten në varrezat e fshatit Keqekollë të Prishtinës.