×
  • Lajme
  • Lajme

    Rusët reagojnë pasi Policia e Kosovës ndaloi “njeriun e Putinit”

    Reporteri
    19 Dhjetor 2019 | 18:52

    Para tre ditësh, brenda territorit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Policia e Kosovës ka ndaluar një ekip të një televizioni rus të prirë nga gazetari Andrey Kondrashov, të cilët në Kosovë kishin ardhur për të filmuar një dokumentar, siç kanë thënë, lidhur me takimet që kanë pasur rusët me amerikanët. Zyra Ruse në Kosovë thotë se po e trajton rastin me prioritet të lartë.


    “Jam këtu për një dokumentar për takimet që rusët i kanë pasur me amerikanë në Kosovë”, i kishte thënë Kondrashov ekipit të televizionit publik të Kosovës.

    Autoritetet kosovare kishin ndaluar ekipin e Kondrashov, për mungesë të lejes për të incizuar brenda hapësirës së Aeroportit të Prishtinës.

    E një gjë e tillë ka nxitur raportime të shumta, meqë Kondrashov ka qenë edhe sekretar për media dhe i afërt i presidentit të Rusisë, Vladimit Putin.

    Më këtë rast tashmë po merret edhe Zyra Ruse që tek autoritetet e Kosovës është e akredituar si Zyre e Ambasadës së Federatës Ruse në Serbi.  Në një përgjigje të dhënë për Gazetën Express ata thonë se janë duke trajtuar një ngjarje të tillë më prioritet të lartë dhe përmes mundësive që kanë, marrë parasysh gjithmonë qëndrimin e Rusisë mbi Kosovën. Ata kanë lënë të kuptohet se komunikimin janë duke e zhvilluar me UNMIK’un rreth kësaj çështjeje.

    “Ne po e merremi për së afërmi me rastin dhe po e trajtojmë me përparësi problemin, të shqetësuar për shkeljen e të drejtave të shtetasve rus si dhe gjithashtu të drejtave të gazetarëve. Një gjë të tillë po e bëjmë përmes institucioneve, përmes rrugëve që na determinohen për shkak të qëndrimit tashmë të ditur të Rusisë për Kosovën”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Ruse për Gazetën Express.

    Një përgjigje e tillë e Zyrës Ruse për Gazetën Express ka ardhur nga Ambasada e Rusisë në Serbi e cila përfaqësinë diplomatike të saj në Kosovë e konsideron vetëm të degë të misionit diplomatik në Beograd pasi rusët e konsiderojnë Kosovën pjesë të Serbisë.

    Lidhur me rastin, Gazeta ka dërguar pyetje edhe në adresë të Policisë së Kosovës, megjithatë ata nuk kanë kthyer kurrfarë përgjigje.

    Megjithatë ditën e ndalimit të ekipit të televizionit rus në vendin e ngjarjes kishte qëndruar Komandanti i Policisë së Kosovës në Aeroport, Shpend Maliqi, i cili edhe ka marrë në pyetje ekipin rus nëse kanë leje për të filmuar në zonën e Aeroportit të Prishtinës.

    Andrey Kondrashov sipas të dhënave që figurojnë në internet është një gazetar rus dhe zëvendësdrejtor i rrjetit televiziv “VGTRK”.

    Gjithashtu Kondrashov ka realizuar edhe një dokumentar të gjatë për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

    Gjatë vitit 2018, Kodrashov kishte qenë edhe sekretar për media i zyrës së Putinit.

    Televizioni publik i Kosovës (RTK), ka raportuar fillimisht për rastin, duke e cilësuar Kondarshov si njeriun kryesor të propagandës së Vladimir Putinit.

    Sipas RTK’së, Kondrashov kishte ardhur në Kosovë për të mbledhur informata të ndjeshme të cilat mund të rrezikojnë sigurinë e vendit.

    Rusia kishte hapur Zyrën Ndërlidhëse në Kosovë në vitin 2005. Për ta bërë këtë në Kosovë kishte udhëtuar personalisht Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë Sergey Lavrov, të cilit nikoqiri Presidenti Ibrahim Rugova ia kishte kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!