Korrespondenti i gazetës “Zëri” nga komuna e Skenderajt, Kajtaz Gecaj, është kërcënuar me sulm fizik nga drejtori i Drejtorisë së Kulturës në këtë Komunë, Ramiz Shala.
Shala e ka telefonuar sot gazetarin e “Zërit” dhe e ka kërcënuar ashpër, për shkak se në njërin prej artikujve të fundit atij i është përmendur emri.
“Para pak çasteve Ramiz Shala, drejtor i Kulturës më ka kërcënuar se do të më sulmoj fizikisht nëse edhe një herë ia përmendi emrin në gazetë, edhe pse emrin ia ka përmendur kolegu i tij Kastriot Gashi. Madje më tha ‘të kisha bërë tokë, veç e kam mik të mirë djalin tënd’”, ka bërë të ditur gazetari i “Zërit”, i cili punon mbi 20 vjet në gazetari.
Kërcënimi i Shalës ka shkuar deri aty, saqë i ka thënë gazetarit se të premten do ta dëbojë nga zyrat e tij.
“Ai gjithashtu më ka kërcënuar se të premten do të më dëboj nga zyra, në objektin e ish-TMK-së, ku ndodhen edhe zyrat e disa OJQ-ve, shoqatat e luftës, pensionistët, KFOR-i”, ka theksuar ai.
Gazetari i “Zërit” ka paraqitur rastin në Stacionin Policor të Skenderajt në orët e mbrëmjes të së djeshmes.