Javëve të fundit në vazhdimësi është tejkaluar kufiri i ndotjes së ajrit në Prishtinë, po ashtu edhe në disa qytete tjera në vend.
E një gjë e tillë, në sezonin e dimrit pothuajse është bërë e zakonshme.
Fotografi të shumta të ndotjes së ajrit po qarkullojnë në rrjete sociale. E një e tillë është zgjedhur ndër fotografitë e ditës nga e përditshmja irlandeze The Irish Times.
Fotografia e bërë nga Valdrin Xhemaj paraqet statujën e Nënës Terezë në Prishtinë të cilës i është vendosur maska për shkak të ajrit të ndotur, transmeton Koha.net.
The Irish Time në përshkrimin e fotografisë ka shkruar se ndotja e ajrit në kryeqytetin e Kosovës shpesh kalon limitet në sezonin e dimrit, duke theksuar se shkak i kësaj janë termocentralet.
Ndërkaq lidhur me këtë problem, institucionet kanë thënë përmes veprimeve të shpejta është e pamundur të arrihen rezultate konkrete në zvogëlimin e ndotjes.
E, nga Ministria e Mbrojtjes kanë thënë se për ndryshmin e shpejtë të gjendjes nevojiten investime për blerjen e filtrave të termocentralit B, zgjerimi i rrjetit të ngrohjes qendrore përmes koogjenerimit dhe fillimi i ngrohjes përmes paneleve solare.
Nga ajri i ndotur, ditëve të fundit është shtuar numri i atyre që kërkojnë ndihmë në Spitalin e Mushkërive.
Nga kjo klinikë kanë thënë se nga mbi 50 persona që shkojnë për kontrolle, më shumë se gjysmës së tyre u është keqësuar gjendja shëndetësore për shkak të ajrit të ndotur.
Momentalisht cilësia e ajrit në Prishtinë është 149 që llogaritet të jetë i pashëndetshëm për grupe të caktuara.