Familja Zeka nga Komuna e Mitrovicës ka kërkuar ndihmë për të gjetur familjaren e saj, e cila është zhdukur që nga marsi i këtij viti.
Mirjeta Zeka nuk ka pasur asnjë kontakt me familjarët e saj që nga 31 marsi, kur edhe ishte përshëndetur me familjen, për t’u nisur kështu për në Gjermani.
Familjarët e saj përmes rrjeteve sociale kanë kërkuar nga të gjithë ata që mund të kenë informacione për të, që t’i lajmërojnë.
Sipas tyre, dyshimet janë te bashkëshorti i Mirjeta Zekës.
“Me shpresë që do ta gjejmë Mirjetën vajzën e hasretit që është martuar me një bishë dhe po të njëjtën bishë drejtësia e Kosovës e lë të sillet i lirë dhe të krijon ku me ditë edhe sa viktima të tjera”, thuhet në lajmërimin e familjes.
Me rastin po merren prokuroria dhe policia e Mitrovicës.
Prokuroria ka deklaruar se nuk mund të japë më shumë informacione pasi që rasti është ende në fazë të hetimeve.