×
  • Lajme
  • Lajme

    AGK kërkon shkarkimin e ministrit Endrit Shala pas sulmit ndaj gazetarit

    Reporteri
    20 Dhjetor 2019 | 17:44

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kërkuar nga kryeministri Haradinaj shkarkimin e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala.


    Kjo për shkak se Endrit Shala ka sulmuar gazetarin e IndeksOnline e cila është dokumentuar edhe në disa pamje të publikuara sot në media.

    “Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërkon nga kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj që ta shkarkoj ministrin e Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shalën, pas publikimit të pamjeve ku shihet se si ai godet gazetarin e IndeksOnline, Ensar Ramadani”, thuhet në reagimin e AGK-së.

    Postimi i plotë:

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërkon nga kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj që ta shkarkoj ministrin e Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shalën, pas publikimit të pamjeve ku shihet se si ai godet gazetarin e IndeksOnline, Ensar Ramadani.

    Këto pamje dëshmojnë se si një person që përfaqëson institucionet e shtetit, pa frikë godet gazetarin. Një person i tillë nuk meriton të jetë pjesë e institucioneve të Kosovës,e aq më pak përfaqësues i popullit. Në një situatë të tillë AGK kërkon nga kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, që të distancohet nga ky veprim i Shalës.

    AGK vlerëson se pas publikimit të kësaj videoje , çdo gjë është e qartë dhe se drejtësia duhet të veprojë sa më parë.

    Sjellja e ministrit karshi gazetarit i cili po kryente detyrën e tij, për AGK është e papranueshme dhe e patolerueshme. Situata bëhet edhe më e rëndë kur Shala, një ditë para se të publikohen këto pamje, kishte deklaruar se nuk e ka goditur gazetarin Ramadani.

    AGK kërkon nga Shala, që të kërkoj falje publike, të pranojë fajësinë dhe në të njëjtën kohë nuk mjaftohet vetëm me një intervistim të tij nga ana e prokurorisë. Në të kundërtën fton të gjithë kolegët gazetarë që të bojkotojnë punën e tij derisa ndaj këtij akti të merren masa konkrete nga autoritet përkatëse.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!