×
  • Lajme
  • Lajme

    Kim Mehmetin: Të shkohet në zgjedhje, LDK-ja e sheh shtetin si grazhd, VV-ja e ka humbur lojën

    Reporteri
    22 Dhjetor 2019 | 16:37

    Shkrimtari Kim Mehmeti po e sheh vetëm një rrugëdalje nga bllokada politike e krijimit të koalicionit të ri qeveritar.


    Zgjedhjet e reja po i sheh si mundësinë më të mirë për ta çuar përpara Kosovën.

    “Sipas meje, në rrethana të tilla, zgjedhjet janë zgjidhje, sepse popullit i jepet mundësia ta korrigjojë vetveten, duke i çuar drejt zhbërjes ato parti që e ‘zhbënë‘ vendin”, vlerëson Mehmeti në një intervistë me shkrim për Gazetën Express.

    Në këtë situatë, sipas Mehmetit, LDK’ja po e sheh Shtetin si grazhd (vend ku iu vendosen ushqimet kafshëve) për t’i ushqyer të fortit e Partisë. Vetëvendosjen po e sheh si parti që Shtetin po e sheh si kopsht që duhet mirëmbajtur e pasuruar.

    “LDK-ja, si të gjitha partitë e tjera që e kanë zhvatur Kosovën, e ka frikë të vërtetën për vetveten. Andaj, të ardhmen e vendit e barazon me të nesërmen e drejtuesve të saj, me postet që atyre do u mundësonin të mbroheshin nga e vërteta për partinë dhe vetveten. Dhe me ketë zvarritje të marrëveshjes për formimin e qeverisë, LDK’ja e arriti suksesin parësor të saj, që para syve të popullit VV’në ta barazojë me vetveten, ta tregojë përpara popullit si parti të njëjtë me të gjitha të tjerat, parti që më të rëndësishme i ka postet sesa pozitën mjerane të Kosovës”.

    “Andaj, kam përshtypjen se që tani VV’ja e ka e humbur lojën me LDK’në. Dhe është duke e humbur lojën, mbase pse LDK’a ka zgjedhur që në vend se ta mbrojë të mirën e Kosovës, të luftojë për mirëqenien e drejtuesve të saj. Pra, VV’ja është përballë një LDK’je e cila nuk do të lejojë të ndodhë asnjë ndryshim i rëndësishëm në Kosovë, sepse ajo nuk ka forcë ta ndryshojë vetveten. Më në fund, VV’ja është përballë të pamundurës – ta bëjë ‘çkapjen’ e shtetit me një nga ‘kapësit’ e saj më të egër, siç është LDK’ja? Dhe me diçka alogjike: që korrupsionin ta luftojë edhe me ata që janë bërë kapitalistë duke u marrë me politikë. Pra, drejtuesve të VV’së u ka rënë në hise të shtiren se nuk e dinë që vetëm hajduti mund të pasurohet nga politika”, ka deklaruar Mehmeti për Express.

    Ai shton se, duhet t’i jepet fund një herë e mirë lojës ndërpartiake për të zgjedhur president edhe njerëz që as të afërmit e tyre nuk do t’i kishin zgjedhur për kryefamiljar.

    “E kjo bëhet shumë thjesht: me një ndryshim kushtetues që do të përcaktonte që Presidentin e vendit ta zgjidhte populli. Por, siç duket, këtë nuk e do asnjë parti, sepse kështu do u merrej një nga postet e rëndësishme që të mbajnë pranë grazhdit të shtetit, një nga postet që e forcojnë partinë, por e dobësojnë shtetin”, thotë Mehmeti.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!