×
  • Lajme
  • Lajme

    PSD akuzon Albin Kurtin se ende pa u bërë kryeministër ka nisur kapjen e shtetit

    Reporteri
    22 Dhjetor 2019 | 17:32

    Edhe 3 ditë kanë mbetur deri në mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, por marrëveshja për koalicion qeverisës mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-në nuk po shihet gjëkundi.


    Këto dy parti që dolën të parat në zgjedhje po vazhdojnë të përplasen me njëra-tjetrën për postin e presidentit, çka po bën që të lënë peng edhe nënshkrimin e koalicionit qeverisës mes tyre.

    Por ish-shokët e Albin Kurtit, tani zyrtarë të Partisë Socialdemokrate po kritikojnë këtë të fundit dhe Isa Mustafën që nuk po arrijnë marrëveshje.

    Shqipe Pantina nga PSD thotë se VV e LDK, jo që nuk po mund të arrijnë marrëveshje, por nuk po duan ta bëjnë këtë gjë.

    “S’është problem pozita e presidentit, por mosgatishmëria e tyre për ta formuar qeverinë të cilën e presin vendime të vështira, ku më e rëndësishmja është marrëveshja me Serbinë”, tha Pantina për Reporteri.net.

    Ajo ka kujtuar se si Kurti ka qenë një kundërshtar i fortë si opozitar ka qenë kundër çfarëdo zgjidhje me Serbinë.

    “VV në këtë rast, Kurti si i pari mandatar nuk është gati me marrë përgjegjësi, për faktin se ai e ka kundërshtuar çfarëdo lloj zgjidhje me Serbinë, e propozuar nga ndërkombëtarët, pra nuk është gati me pranu një zgjidhje që e ka kundërshtuar me vite”, ka deklaruar ajo.

    Kurse e pyetur për rolin që PSD-ja do ta ketë si parti opozitare jashtëparlamentare, Pantina thotë se shenjat e para nuk po tregojnë se VV do të udhëheq siç ka premtuar vendin.

    “Ata kanë kritikuar kapjen e shtetit, e cila është evidente nga partitë që kanë qeverisë deri tani, por mënyra si e kanë premtuar ta bëjnë ç’kapjen është një rikapje e re, si propozimi që bordet e ndërmarrjeve të emërohen nga shteti”, thotë Pantina.

    Zyrtarja e PSD-së thotë se do të ofrojnë alternativa për mënyrën e qeverisjes.

    “PSD sot ka zgjedh Këshillin e Përgjithshëm dhe Kryesinë e re ku ka pasur diskutime si të ecim përpara, dhe pastaj do të merret me shtrirjen e subjektit. Ka hapësirë të madhe për opozitë duke ditur që partitë që kanë qenë në qeveri deri tani kanë qeverisur jashtëzakonisht keq. Qeveria e re do të bëjë gabime në vazhdimësi, dhe detyrë e jona do të jetë të ofrojmë alternativa për mënyrën e qeverisjes së vendit, për zhvillimin në përgjithësi. Nuk kemi probleme veç me qeverinë dhe qeverisjen, por edhe shoqërinë që duhet si shoqni t’i adresojmë pabarazitë e mëdha”, tha ajo. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!