Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Vjosa Osmani, ia ka çuar “selam” presidentit Hahsim Thaçi se ai mund të vazhdojë të ëndërrojë për shkëmbim të territoreve, por sipas saj qeveria e re nuk do ta pranojë një gjë të tillë
Osmani ka deklaruar se Kosova është e gatshme që të arrijë marrëveshje përfundimtare – por ne nuk pranojnë fare shkëmbim territoresh, ndarje të Kosovës, apo ndonjë ndryshim tjetër kufijsh, pasi që kjo nuk do ta rrezikonte vetëm integritetin territorial të Kosovës, por poashtu shtetësinë e saj.
“E kemi kundërshtuar këtë ide në dy vjet e gjysmë kur Presidenti i Serbisë fshehurazi e ka diskutuar atë me Presidentin e Kosovës (Hashim Thaçi). Ai mund të flasë vetmevete dhe të vazhdojë të ëndërrojë. Por me këtë Qeveri, s’ka rëndësi kush këmbëngul, ide të tilla nuk do të ecin tutje. Në anën tjetër, normalizimi nënkupton që njerëzit të kenë marrëdhënie normale. Si në të 90-at, Serbisë nuk i interesojnë qytetarët, por interes e ka vetëm territorin. Është koha që serbët në Kosovë që ne jemi krerët politikë që përfaqësojnë interesat e tyre. Ne duam të jetojmë në një Kosovë, ku ata ndjehen të sigurt dhe mund të jetojnë një jetë të suksesshme”, ka deklaruar ajo, në një intervistë për të përditshmen austriake “Der Standard”, shkruan Reporteri.net.
Osmani thotë se marrëveshja me Serbinë mund të arrihet nëse bashkësia ndërkombëtare ndalon së trajtuari Vuçiqin dhe Serbinë si fëmija i lazdruar i Evropës.
“Serbia është vend që ka destabilizuar tërë rajonin dhe që nuk duhet të shpërblehet me kapituj për çelje të negociatave derisa të kontribuojë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Bashkimi Evropian duhet ta pranojë realitetin që Serbia me Vuciqin ka bërë që të afrohet me Rusinë edhe më tepër se përpara, si në aspektin ekonomik, politike dhe ushtarak”, ka pohuar ajo.
Edhe pse nuk ka një arritje të marrëveshjes për koalicion qeverisës mes VV-së e LDK-së, Osmani, ndërsa flet për reformat që do t’i bëjë qeveria e re, ka thënë se ekzekutivi i ri dëshiron një rishikim të të gjithë zyrtarëve, përfshirë sistemin juridik dhe sistemin e sigurisë, d.m.th policinë dhe shërbimin sekret.
“Si rezultat, nëse ne krijojmë një sistem juridik të lirë dhe të pavarur nga politika dhe ndikimi kriminal, nëse kemi një forcë policore dhe shërbim inteligjent që janë profesional dhe të pavarur, atëherë unë mund të besoja se kemi bërë ndryshimet e mëdha në historinë e vendit tonë. Kjo është parakusht për gjithçka tjetër, i zhvillimit ekonomik, shëndetësisë dhe arsimit”, ka deklaruar ajo.
E pyetur se çfarë reforma tjera do të ketë, Osmani ka thënë se në të kaluarën, 80 përqind e buxhetit është shpenzuar në autostrada dhe rroga, dhe se qeveria e re duhet ta bëjë të kundërtën dhe të investojë në kapitalin human – në arsim dhe shëndetësi dhe, mbi të gjitha në punësim.
“Ne kemi për t’u përballë me shkallë të lartë të papunëve të rinj dhe gra. Ne duam që të mbështesim familjet e reja, veçanërisht fëmijët në vitet e para të jetës. Nuk ka gjithaq kopshte, ambiente parashkollore dhe kujdes tetëditorë. Kështu, ne përkrahim nënat për të kërkuar punë, pasi që 80 përqind e grave janë të papuna. Kjo shkon në dëm të ekonomisë sonë dhe barazisë gjinore. Ne kemi vendosur që të tërhiqemi nga një numër planesh të projekteve për autostrada. Kjo do të kursente gati një miliard euro për disa vite. Kemi kursyer goxha”, ka deklaruar ajo.
Kurse e pyetur se a mund të shkaktojë kundërshti ndalja e pensioneve të veteranëve, ajo ka thënë se veteranëve nuk do t’iu ndalen, por mashtruesve.
Lidhur me atë se a do të ketë liberalizim të vizave së shpejti për Kosovën, Osmani nuk ka dhënë një përgjigje të prerë.
“Franca ende ka pikëpyetje, të cilat nuk i shoh si të arsyeshme. Është hipokrizi që BE të ketë liberalizim të vizave për vende si Venezuela dhe Kolumbia, por që nuk është e gatshme t’ia hapë portat Kosovës së vogël. Kosova nuk paraqet më rrezik për emigrim. Nuk duhet të penalizohemi për problemet që Franca apo të tjerët mund t’i kenë me vende si Gjeorgjia”, ka pohuar ajo. /Reporteri.net/.