Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës akoma nuk po arrijnë që të nënshkruajnë marrëveshjen për koalicionin qeverisës.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), pavarësisht të takimeve të shumta në mes të grupeve punuese dhe krerëve të tyre, assesi nuk po arrijnë që të nënshkruajnë marrëveshjen për bashkëqeverisje.
Albin Kurti dhe Isa Mustafa janë takuar disa herë mirëpo, është apetiti politik i LDK-së për postin e presidentit e që këtë post Vetëvendosje po e cilëson si të panevojshëm për kushtëzimin e marrëveshjes për bashkëqeverisje.
E krejt këtë kushtëzim të LDK-së për postin e presidentit, Milazim Krasniqi, njëri ndër themeluesit e këtij subjekti politik, po e sheh si gabim të madh të LDK-së.
Krasniqi ka thënë për lajmi.net, se çështja e presidentit nuk do të duhej të përfshihej në asnjë marrëveshje politike për bashkëqeverisje.
Tutje sipas Krasniqit, tërë ky insistim i LDK-së për postin e presidentit është i pakuptueshëm.
“Çështjen e presidentit vërtetë e shoh si gabim të madh politik. Unë gjithmonë kam thënë që çështja e presidentit nuk do të duhej të përfshihej në marrëveshje për koalicion qeverisës pasi që presidenti është figurë kushtetuese edhe është e pavarur nga qeveria, koalicionet qeverisëse. Kjo këmbëngulje për mua sinqerisht mbetet e pakuptueshme, sepse në esencë është edhe jokushtetuese. Por ata kanë hesapet, kalkulimet e veta”, ka thënë Kransiqi për lajmi.net.
Profesori universitar, Milazim Krasniqi, po ashtu ka thënë se mosarritja e marrëveshjes në mes të këtyre subjekteve politike është më shumë për shkak të mosbesimit që kanë për njëra-tjetrën.
Po ashtu, Krasniqi ka thënë se qeveria duhet të formohet sa më shpejt.
“Mua më është mbushur mendja që LDK-ja dhe Vetëvendosje kanë hezitime serioze që të bashkëqeverisin sepse nuk i besojnë asgjë njëra-tjetrës dhe nën anën tjetër e kam përshtypjen që edhe nuk po guxojnë ta marrin përgjegjësinë që ia kanë ngarkuar vota e 6 tetorit. Pra si loja rreth presidentit po më duket që është vetëm pretekst, por ata kanë probleme të raporteve të ndërsjella dhe kanë edhe një frikë nga mandati gjë që është paradoksale, është e pakuptueshme sepse ata kanë luftuar për të fituar dhe kanë fituar zgjedhjet dhe ashtu do të duhej që sa më shpejt ta formonin qeverinë”, u shpreh Krasniqi.
Theksojmë se edhe gjatë së hënës, në 30-vjetorin e themelimit të LDK-së, kreu i saj, Mustafa ia ka bërë të qartë Kurtit që nuk lëshojnë pe për postin e presidentit.