Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës po bëjnë tentime të vazhdueshme që të gjejnë një rrugë për të krijuar Qeverinë, por shpesh sharra po has në gozhdë.
Madje, kur nuk po mund të gjejnë pajtim mes vete, takimet dhe fati i koalicionit po lihet në dorën e Zotit dhe lutjet e Don Lush Gjergjit, shkruan Reporteri.net.
Ditë më parë, ka qenë Agim Veliu, nënkryetar i LDK-së, ai që e përmendi Zotin kur u pyet lidhur me takimet për krijim të Qeverisëë.
“Kur të thotë Zoti”, kishte thënë Veliu kur ishte pyetur për takimin me VV-në.
Ndërkohë sonte, ka qenë Albin Kurti ai që shfaqi besimin se marrëveshjen me LDK-në do t’ia kryejë dikush tjetër. Ai po “beson” në lutjet e Don Lush Gjergjit.
“Ne shpresojmë që të kryejmë bisedimet dhe të dalim me një marrëveshje për të cilën kanë votuar qytetarët. Ne me partnerin tonë të koalicionit jemi shumë afër. Kemi një gurë në rrugë. Nuk është as shkëmb e as guralec por me urimet e mira të Don Lush Gjergjit, me punën tonë të përbashkët, besoj që do të arrijmë rezultatet”, ka thënë sonte Kurti në ceremoninë e pritjes për Krishtlindje.
Sidoqoftë, i pari i VV-së foli sonte edhe për takime me kreun e LDK-së, duke thënë se ato kanë ndodhur sot e dje, dhe pritet edhe nesër njëlloj.
Ndryshe, Veteëvendosja dhe LDK-ja nuk po pajtohen vetëm për postin e presidentit, të cilën pikë Kurti e quajti “gur”./Reporteri.net