Dy brigadat në Beograd të cilat mbahen mend për krimet në Bosnjë dhe në Kosovë, iu është kthyer statusi nga Armata e Serbisë pas 13 vitesh.
Siç bëjnë të ditur mediet serbe, bëhet fjalë për Brigadën 63 parashutiste dhe atë 72 për operacione speciale. Që të dyja brigadat kanë marrë pjesë në luftërat e viteve të 90’ta, ndërkaq më 2006 kur u formua Armata e Serbisë, iu ul rangu i tyre në batalion dhe u shkrinë në Brigadën Speciale.
Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, duke njoftuar në lidhje me këto ndryshime, tha se vetëm një popull mosmirënjohës do të humbte emrat e Brigadës së lavdishme 72 dhe asaj të 63 duke i hedhur në të kaluarën.
‘Sa herë që popullit serb i kërcënohej rreziku nga masakrat dhe shkatërrimi, këto që mbanin këta emra ishin me të. Vetëm një popull mosmirënjohës dhe vetëm një ushtri jo çlirimtare, që komandohet nga të huajt, do të vendoste të humbë emrat Brigadës së lavdishme 72 dhe asaj 63, dhe t’i hedh në të kaluarën’, tha Vulin, transmeton Koha.net.
Brigada 63 Parashutiste mbahet në mend për pjesëmarrjen në operacionin “Reka” më 27 prill të vitit 1999 në Kosovë.
‘Kur kjo njësi, bashkë me njësi të tjera të Ushtrisë së Jugosllavisë dhe MUP-it të Serbisë merrte pjesë në operacionin “Reka”, në të cilin u vranë së paku 350 civilë shqiptarë, nga territori i luginës së Rekës, në perëndim të Gjakovës, u dëbua thuaja e gjithë popullsia shqiptare’, ka thënë hulumtuesi i Fondit për të Drejtën Humanitare Jovan Kolaric.
Ai ka shtuar se ky operacion është dokumentuar në aktgjykimet e Tribunalit të Hagës, me të cilat janë dënuar zyrtarët ushtarakë e policorë të Serbisë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, Dragolub Ojdanic, shefi i Armatës së Tretë Nebojsa Pavkovic, shefi i Shtabit të Ministrisë së Punëve të Brendshme për Kosovën, Srten Lukic, shefi i Korpusit të Prishtinës, Vladimir Lazarevic dhe shefi i Drejtoratit të resorit të Sigurimit Publik të MUP’it të Serbisë, Vlastimir Djordjevic.