Palët mbrojtëse të “IuteCredit” kanë kundërshtuar vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për revokimin e licencës të “IuteCredit” dhe kanë paralajmëruar padi ndaj këtij institucioni.Avokati mbrojtës i “IuteCredit”, Rauno Kinkar, ka paralajmëruar edhe prishjen e raporteve diplomatike mes Estonisë dhe Kosovës, duke aluduar edhe në tërheqjen e njohjes nga Estonia.
“Kjo tani është shndërruar në çështje ndërkombëtare dhe diplomatike. Estonia e ka njohur Kosovën ndër vendet e para. Ministri i Punëve të Jashtme e ka kontaktuar ministrin e Jashtëm këtu në Kosovë dhe tani nuk është koha për përleshje diplomatike.Ne jemi këtu që të gjejmë zgjidhje miqësore dhe procesi i likuidimit të ndërpritet dhe të shmangen dëmet e tjera të Iute Credit”, pati thënë Kinkar.
Megjithëkëtë, përfaqësuesit e kompanisë që operon në Moldavi, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Bosnje Hercegovinë nuk sqaruan pse “IuteCredit” ka devijuar nga plani i biznesit duke lëshuar kredi me norma astronomike të interesit.
Lidhur me këtë zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Sokol Havolli ka thënë për gazetën “Epoka e re” se paralajmërimet për tërheqje të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Estonia janë në vazhdën e propagandave që po bëhen nga individë brenda Kosovës për të mbrojtur interesat e atyre, që sipas tij kanë devijuar nga plani dhe për këtë u është revokuar edhe licenca.
“Ne kemi pasur komunikim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe kjo ministri na ka konfirmuar se shteti i Estonisë është shtet mik i Kosovës dhe kanë shprehur gatishmërinë për t’i avancuar raportet edhe më tej me Republikën e Kosovës. Në këtë drejtim propagandat e tilla janë duke u zhvilluar nga njerëz të brendshëm të Kosovës, me qëllim të mbrojtjes të disa institucioneve të cilat i kanë shkelur rregullat për të cilat janë licencuar. Andaj edhe këtë lajm të llojit propagandë e shohim vetëm në vazhdën e presioneve dhe tentativave të dështuara për shantazhe ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës. Pra nuk bëhet fjalë për kurrfarë përkeqësimi të raporteve për aq sa ne kemi komunikim me institucionet e Republikës së Kosovës, përfshirë këtu edhe MPJ-në”, ka deklaruar Havolli.