Sot nga ora 15:00 mbahet mbledhja konstituive e Kuvendit të Kosovës.
Në këtë seancë pritet të bëhet betimi i deputetëve, por vetëm kjo është e sigurt se do të ndodhë por asgjë tjetër, shkruan Reporteri.net.
Por Parlamenti nuk konstituohet, pasi të bëhet betimi i deputetëve.
Aktgjykimi i Kushtetueses i vitit 2014-të thotë se për t’u bërë funksional duhet të zgjedhet edhe kryetari e nënkryetarët e Kuvendit.
“Është e drejtë dhe detyrë e të gjithë deputetëve të Kuvendit që të gjejnë mënyrën për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, në pajtim me dispozitat kushtetuese në lidhje me Rregulloren relevante të Kuvendit dhe të bëjnë Kuvendin funksional”, thuhet në aktvendimin e Kushtetueses të vitit 2014-të.
Edhe Artan Murati, njohës i çështjeve politike, thotë se betimi nuk mjafton zyrtarisht për ta filluar mandatin si deputet.
Ai përmes një postimi në Facebook thotë se Gjykata Kushtetuese përmes aktvendimit të 2014-tës, ka konstatuar se legjislatura quhet e konstituuar vetëm atëherë kur kryhet edhe zgjedhja e kryetarit e nënkryetarëve të Kuvendit.
“Pra vetëm me betim nuk ka konstituim të Kuvendit, e rrjedhimisht as marrje të mandatit”, ka shkruar Murati.
/Reporteri.net/.