Deputetët e LDK-së kanë arritur në sallën e Kuvendit të Kosovës, ku pas pak pritet të nisë seanca konstituive e legjislaturës së shtatë parlamentare.
Grupit parlamentar të deputetëve të LDK-së, iu ka prirë deputeti Armend Zemaj, pasuar nga Vjosa Osmani e Kujtim Gashi, shkruan Reporteri.net. Pas tyre në sallë kanë hyrë edhe deputetët tjerë të kësaj partie të cilët fillimin janë nënshkruar në listat e vendosura në hyrje të sallës së Kuvendit.
Deputetët e LDK-së në sallë të zënë ulëset ku në legjislaturën e kaluar janë ulur deputetët e VV-së.
Seanca konstituive e Kuvendit është thirrur për në ora 15:00 të ditës së sotme. Përkundër se deri më sot kanë pasur një muaj kohë nga certifikim i rezultateve zgjedhore, VV-ja si fituese e zgjedhjeve dhe LDK-ja nuk kanë arritur të lidhin marrëveshje mes vete për të bashkëqeverisur.
Kësisoj, përkundër se në këtë seancë parashihej të zgjidhen kryetari i Kuvendit, kryesia dhe shefat e grupeve parlamentare të partive politike, në mungesë të një marrëveshje politike pritet të dështojë zgjedhje e tyre. Rrjedhimisht, deputetët e rijnë të Kuvendit të Kosovës sot pritet vetëm të japin betimin e tyre si deputetë të legjislaturës së shtatë. /Reporteri.net/.