Vjosa Osmani vazhdon të mendojë se koalicioni qeverisës mes Vetëvendosjes dhe LDK-së duhet të ndodhë, për ta çuar në vend vullnetin qytetar, megjithëse ka pohuar se pas zgjedhjes së Glauk Konjufcës në postin e Kryetarit të Kuvendit ka ndodhur një goditje jashtëzakonisht e madhe në raportet mes këtyre dy partive.
Osmani, duke folur për Pressing në T7, ka thënë se në vend që tash të ishin duke folur për zgjidhjen e shumë problemeve që kanë të bëjnë me qytetarët, ende merren me një formulim gjuhësor lidhur me çështjen e Presidentit.
Ajo, po ashtu, duket se e ka thumbuar Albin Kurtin, ndonëse nuk e ka përmendur me emër, kur ka parafrazuar një thënie amerikane.
“Në vend se tash të ishim duke menduar si t’i realizojmë mendimet që i kemi dhënë në fushatë, si t’ia fillojmë ta bëjmë Vettingun, si të nisim të bashkëpunojmë me Bashkimin Europian, si t’i bëjmë ato kërkesat tjera teknike që i kanë kërkuar Gjermania e Franca për liberalizim të vizave, si të merremi me problemet e shumta në politikën e jashtme, si t’ia nisim të merremi me politikat e punësimit, atëherë hala te një formulim për Presidentin… Pse? Se jo valla ka kosto politike, se na shajnë neve militantët. Kadale, bre. Në qoftë se do me të dashtë krejt bota, mos u bën lider, shit akullore, vëlla. Veç shitësin e akulloreve e duan tanë, se i bën të lumtur… në Amerikë e kanë këtë thënie. Kurrë nuk kanë me të dashtë të gjithë”, ka thënë Osmani.
VV dhe LDK kanë ngecur në tentimin për ta arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje, për shkak të mospajtimeve lidhur me ndarjen e posteve.
Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar se të gjitha marrëveshjet e arritura deri me tash me VV-në kanë rënë në ujë, ndërkohë që ende nuk ka ndonjë zhvillim të ri në këtë drejtim.