×
  • Lajme
  • Lajme

    VV-ja e thërret Këshillin, flitet për krijimin e Qeverisë

    Reporteri
    28 Dhjetor 2019 | 21:49

    Lëvizja Vetëvendosje  ka bërë të ditur se nesër do të mbajë mbledhjen e 39 të Këshillit të Përgjithshëm të saj.


    Nëpërmjet një njoftimi për media, bëhet e ditur se mbledhja do të mbahet në hotelin “Grand”, në kryeqytet.

    Aty po ashtu theksohet se fjalimin në pjesën e parë të mbledhjes do ta mbajë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, pretendent për kryeministër të Kosovës.

    Në këtë mbledhjet pritet të diskutohet edhe për krijimin e Qeverisë së re, pasi që gjatë javës Parlamenti i Kosovës u mblodh dhe zgjodhi kryetarin e ri, Glauk Konjufcën nga Vetëvendosje, shkruan Reporteri.net.

    Zgjedhja e Konjufcës në postin e kryeparlamentarit ngrin negociatat LDK-VV, për shkak se ky post ishte planifikuar t’i takonte partisë së Mustafës. Megjithatë të dy partitë u shprehën të gatshme të vazhdojnë edhe më tutje negociatat për krijimin e qeverisë së re.

    Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka bërë dy ftesa kryetarit të VV-së, Albin Kurtit për takim konsultativ për të caktuar mandatarin për formimin e qeverisë së re.

    Që të dy këto ftesa u refuzuan nga kreu i VV-së i cili tha se nuk ndodhet në Prishtinë, andaj edhe nuk mund t’i përgjigjet ftesës së Thaçit.

    Derisa askush nga Vetëvendosje nuk fliste për vendndodhjen e Kurtit, ai u paraqit në ndejën e organizuar me gazetarë e përfaqësues të mediave, nga ku tha se sigurisht që do të takohet me Thaçin, por që paraprakisht ka potencuar se do të shqyrtoj nenet që janë përmendur në letrat e Thaçit. /Reporteri.net

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!