×
  • Lajme
  • Lajme

    Një muaj paraburgim për policin që e vrau Lulzim Spahiun

    Reporteri
    30 Dhjetor 2019 | 15:42

    Gjykata Themelore në Gjilan i ka caktuar një muaj paraburgim policit Vllaznim Hamdiu, i cili dyshohet se me armë zjarri, ka privuar nga jeta të ndjerin Lulzim Spahiun.


    Përmes një komunikate drejtuar mediave, Gjykata e Gjilanit ka njoftuar se gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, Zyhdi Haziri, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që ky është një rast i ndjeshëm dhe për këtë vepër parashihet një dënim mjaft i lartë.

    Sipas Gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se me datë 29.12.2019, rreth orës 04:50 minuta në rrugën “NATO 99”, në Gjilan, i pandehuri V. H. gjersa ishte duke vozitur veturën e tij shkaktohet një aksident trafiku me kamionin të cilin ishte duke e drejtuar L. S, tani i ndjerë.

    Deri tek ngjarja tragjike ka ardhur, kur pas aksidentit të ndodhur ka filluar kacafytja dhe kërcënimet e sharjet mes personave në fjalë, me ç’rast i pandehuri V. H. (polic) me armën e tij zyrtare shtinë në drejtim të viktimës L. S., ku nga plagët e marra në kokë, ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

    “Tek i dyshuari gjithashtu janë gjetur edhe dy revole të tjera të modelit “Bereta 92 Auto” dhe 25 dhe fishekë të llojeve të ndryshëm, i cili të njëjtën ditë në një lokal në fshatin Malishevë të Gjilanit, duke dëgjuar muzikë kishte përdorur armën e tij”, thuhet në komunikatë.

    Me këto veprime i pandehuri dyshohet të ketë kryer veprat penale “vrasje e rëndë”, “mbajtja në pronësi, kontroll të armëve ose posedimit të paautorizuar të armëve” dhe “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!