Kreu i VV-së, Albin Kurti, ka publikuar të plotë fjalimin e tij të mbajtur dje në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë.
Përveç se e ka cilësuar tejet të suksesshëm vitin 2019-të, ai gjërë e gjatë ka folur edhe për dështimin për ta arritur koalicionin qeverisës me LDK-në, dhe synimet që një gjë të tillë ta arrijë gjatë muajit janar të 2020-të, shkruan Reporteri.net.
Kurti ka deklaruar se arritja e marrëveshjes me partinë e Isa Mustafës në fillim i është dukur e lehtë, por që sipas tij nuk rezultoi ashtu.
“Në janar kemi përpara përpjekjen për arritjen e një koalicioni qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ajo që në shikim të parë dukej lehtë e arritshme doli të jetë e mundimshme. 80 ditë nuk mjaftuan për të arritur marrëveshjen që kërkohej pasi këmbëngulej në kërkesa përtej rezultatit nga vota e qytetarit. Ne kemi marrë një mandat dhe mesazh të qartë nga qytetarët me 6 tetor. Mesazhi ishte që opozita e djeshme duhej të bëhej qeveria e ardhshme duke e veshur Lëvizjen VETËVENDOSJE! e mua si kryeministër me barrën e arritjes së marrëveshjes, por qytetarët dërguan edhe një mesazh të bashkëpunimit, kompromisit e të punës së përbashkët”.
“Ne si Lëvizje jemi munduar që të reflektojmë në këtë mesazh të qytetarëve. Kemi dhënë gjysmën e programit dhe gjysmën e qeverisë për partnerin qeverisës dhe po ashtu u kemi ofruar njërin nga dy postet të cilat qytetarët na kanë dhënë me 6 tetor, pra ofruam edhe postin e kryetarit të parlamentit si një kompromis për të arritur marrëveshjen, por edhe për të ndarë e balancuar pushtetin. Oferta jonë gjeneroze u refuzua në pasditen e 24 dhjetorit”.
“Me 26 dhjetor, në respektim të Kushtetutës për konstituimin e Kuvendit dhe pa asnjë pengesë e kushtëzim, ne kemi zgjedhur organet udhëheqëse dhe i kemi dhënë parlamentit aktivistin tonë më të dalluar e më të nderuar, një kryetar të ri i cili gëzon respektin jo vetëm të deputetëve që e votuan por edhe të gjithë qytetarëve të Republikës, z. Glauk Konjufcën”, ka pohuar Kurti.
Kreu i VV-së, pret që të formohet qeveria, pasi thotë se vendi nuk ka kohë për të humbur.
“Unë pres që, pas konstituimit të Kuvendit, të fokusohemi në bërjen e koalicionit qeverisës dhe të jetësojmë rezultatin e 6 tetorit sepse vonesat e panevojshme nuk na duhen e nuk i duam. Por, çdo marrëveshje duhet të jetë në përputhje me kërkesat e qytetarëve. Ne nuk do të ishim Lëvizja VETËVENDOSJE! nëse nuk veprojmë e punojmë ashtu siç vërtetë kërkojnë dhe votojnë qytetarët e Republikës sonë. E kohë për të humbur nuk kemi”.
“Ekonomia ka ngecur, nuk kemi investime e nuk kemi prodhim, jemi të varfër e të izoluar. Jetojmë në një rajon të pasigurt, ku kemi një fqinj që nuk na e njeh as të tashmen e as të shkuarën, por edhe në një rajon ku qeverisin oligarkë e autokratë. Nuk kemi edukim e shërbime shëndetësore cilësore dhe pothuajse në secilën fushë të jetës duhet ndërhyrje e shpejtë dhe emergjente. Prandaj askush nuk duhet të mendojë se këto sfida janë të lehta. Po ashtu, do bënim gabim nëse mendojmë se zgjidhja e tyre bëhet menjëherë a përnjëherë, disa do të zgjidhen më shpejtë e disa do të marrin ca kohë, por me përkushtimin e vullnetin e mirë që kemi, me transparencë e me profesionalizëm, me vetëmohim e përkushtim gjithçka mund të arrihet e do të arrihet”, ka deklaruar Kurti. /Reporteri.net/.