Kryetari i LVV’së, Albin Kurti, sërish ka refuzuar t’i përgjigjet ftesës së presidentit Hashim Thaçi, por kësaj here për dallim nga dy herat e kaluara, ka konfirmuar se do të shkojë të marrë mandatin për kryeministër, por në një datë të caktuar nga vetë kreu i LVV’së.
Ai i ka thënë Presidentit se do të mund t’i shkojë në zyrë më 6 janar, e jo nesër në ora 10:00, siç e kishte ftuar Thaçi në letrën e tretë dërguar Kurtit.
“I nderuar President i Republikës së Kosovës, ju faleminderit për ftesën e radhsë. Fatkeqësisht, nuk do të kem mundësi të vij nesër për takim në ora 10:00. Propozoj të takohemi të hënën, me 6 janar, në një orë të përshtatshme për juve. Gëzuar 2020!”, ka shkruar Kurti në letrën e tij dërguar presidentit Thaçi, por pa i përmendur emrin edhe në këtë letër, sikurse në dy letrat e kaluara.
Ndryshe, Thaçi e ka ftuar Kurtin tre herë për takim brenda pak ditësh, ku ai do të duhej të shkonte të mandatohej për kryeministër, mirëpo, në asnjërën nga këto letra nuk i është përgjigjur pozitivisht, me arsyetime se nuk ka kohë, apo ndodhet jashtë Kosovës.
Sot në mëngjes Thaçi e kishte ftuar Kurtin të shkonte në zyrën e tij nesër në ora 10:00.
Mirëpo, Kurti i cili nuk po arrinë marrëveshje koalicioni me LDK’në, i ka propozuar që takimi të shtyhet pas festave të funditvitit, më datë 6 janar 2020. /reporteri.net