×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti ndryshon mendje, tash vetë e cakton datën për qeverinë e re

    Reporteri
    30 Dhjetor 2019 | 18:05

    Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka ndryshuar mendje, 24 orë pasi tregoi se kush ia cakton datën për formimin e Qeverisë.


    Në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, të mbajtur dje, ai theksoi se është LDK-ja ajo që e përcakton datën e formimit të qeverisë. Një ditë pas, ai datën për fillimin e formimit të qeverisë e caktoi vetë, shkruan Reporteri.net.

    Sot, në përgjigje te ftesës së presidentit Thaçi, për takim nesër në ora 10:00, Kurti i shkroi atij letër duke refuzuar këtë takim e duke propozuar datën 6 Janar, si kohën e përshtatshme të tij për takim.

    Por ja çfarë tha dje ai:

    “Presidenti e ka përcaktuar datën e seancës konstituive për 26 dhjetor kur ne ishim aty dhe në kohë rekord e konstituam Kuvendin. Presidenti përcakton datën e konstituimit të kuvendit dhe jo formimit qeverisë, formimin e qeverise e përcakton dikush e jo presidentin. Mua datën ma përcakton LDK, nuk bënë të ketë keqkuptime. Ta vonosh maksimalisht kërcim prej ekstremi në ekstrem tjetër. Takimet do të ndodhin, do të ketë konsultime. Ndërkohë po e intensifikojmë bisedimet”.

    Menjëherë atij iu përgjigj edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
    “LDK nuk cakton data. Datat i cakton subjekti që del i pari në zgjedhe, ai që e merr mandatin për formimin e Qeverisë. Por, LDK insiston që sa më parë të kemi formim të institucioneve dhe kjo nuk do të thotë se LDK domosdoshmërisht do të bëhet pjesë e qeverisë”, tha dje Mustafa.

    “Është obligim i fituesit të zgjedhjeve që të shmang vonesat dhe t’i eliminojë pengesat për formimin e institucioneve. Ne bëmë punën tonë, zhbllokuam procesin, përkundër që s’kishim marrëveshje e as njoftim se VV do të procedojë me Kryetarin e Kuvendit”, tha po ashtu ai.

    Sot, të dytë, Kurtin dhe Mustafen i ka takuar ndaras ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett. A mos vallë e caktoi datën e nisjes së bërjes së Qeverisë, zoti Kosnett?/Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!