Ambasada e Britanisë në Kosovë ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK që të tejkalojnë dallimet në mes tyre dhe të formojnë Qeverinë e re.
Kjo ambasadë përmes një komunikate për media thotë se pas më shumë se 12 javë që nga zgjedhjet e 6 tetorit, Kosovës i duhet një Qeveri e re.
“Më shumë se 12 javë që nga zgjedhjet e 6 tetorit, Kosovës i duhet një qeveri e re.
ështjet urgjente siç janë buxheti, arsimi si dhe vendimet administrative të bllokuara duhet të adresohen. Të dyja, Vetëvendosje dhe LDK, të cilat qartazi kanë fituar zgjedhjet, duhet të punojnë së bashku që të tejkalojnë dallimet në mes tyre dhe të formojnë qeverinë që do të adresojë çështjet më me prioritet të popullit të Kosovës”, thuhet në njoftim, shkruan Reporteri.net.
Ambasada më tej thotë se respekti për votuesit dhe Kushtetutën do të thotë vullnet për të punuar sinqerisht së bashku.
“Ato duhet të bëjnë këtë në frymën e tolerancës, duke pranuar qasjet e tyre të ndryshme të qeverisjes. Respekti për votuesit dhe Kushtetuten do të thotë vullnet për të punuar sinqerisht së bashku për t’i treguar vendit se ata munden të ofrojnë lidership për ndryshimin”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se sot ambasadori i SHBA-ve, Philip Kosnett takoi ndaras Kurtin dhe Mustafën, për t’u informuar lidhur me ecurinë mbi mundësinë e arritjes së një marrëveshje për koalicioni qeverisës.
Po sot presidenti Hashim Thaçi i dërgoi ftesën e tretë me radhë Kurtit për takim konsultativ, por ky i fundit e refuzoi sërish, por i tha presidentit se mund të takohen më 6 janar. /Reporteri.net/.