Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme ku në një aksion të ShBA-së u vra gjenerali iranian Qaseem Soleimani.
Presidenti Thaçi ka shprehur mbështetjen e Kosovës për “reagimin amerikan ndaj aktiviteteve të Iranit në Lindjen e Mesme që kanë shkaktuar terror, destabilizim dhe shqetësim global.”
Përmes një postimi në Twitter, Thaçi ka thënë që Kosova qëndron krah Amerikës në mbrojtjen e vlerave të përbashkëta dhe në kërkim të paqes dhe sigurisë.
Gjatë ditës ka reaguar edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se pas vrasjes së Gjeneralit Qasem Soleimani nga forcat amerikane në Irak, se Kosova qëndron e palëkundur në përkrahje të SHBA-së.
Hardinaj ka shkruar se veprimet e fundit vetëmbrojtëse ndaj gjeneralit Soleiman janë mbrojtje jo vetëm për SHBA-të, por, për lirinë dhe demokracinë gjithandej.
“Ne dënojmë ashpër sulmet e Iranit dhe çdo shteti që kërkon të shkatërroj paqen në Irak dhe vendet tjera. Në këto tensione Irani dhe përkrahësit e këtij shteti duhet të ndërmarrin hapat e domosdoshëm që te mos eskalojnë situatën. Kosova qëndron pranë Amerikës dhe do ta shtojë përkrahjen ndaj Koalicionit Global të udhëhequr nga ShBA-të”, shkroi Haradinaj. /Reporteri.net