×
  • Lajme
  • Lajme

    Vetëvendosje thotë vendimi për Pronton vërtetim se Gjykatat janë të kapura

    Reporteri
    03 Janar 2020 | 17:21

    Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore për rastin Pronto.


    Nga LV kanë shkruar se vendimi për rastin e njohur si Pronto, është skandaloz.

    “Sot Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli një aktgjykimin lirues për rastin më flagrant e më të mediatizuar kriminal e korruptiv në Kosovën e pasluftës, të njohur si ”Afera Pronto”. Ky rast përfshinte elementë të rëndësishëm të partive në pushtet, si dhe zyrtarë me pozita të larta në ekzekutiv, ndërmarrje publike, e prokurori. Vendimi i sotëm është skandaloz. Dëshmi se gjykatat janë kapur nga ekzekutivi, dhe ekzekutivi është kapur nga një rrjet korruptiv i ngjashëm me mafian”, shkruhet në reagim.

    Tutje, partia e udhëhequr nga Albin Kurti ka shkruar se ky vendim është goditje e drejtëpërdrejtë ndaj nevojës së qytetarëve për drejtësi e për institucione ligjore.

    “Vendimi i sotëm i Gjykatës është goditje e drejtpërdrejtë ndaj nevojës së qytetarëve për drejtësi e për institucione ligjore të paanshme. Për më keq dhe si për ironi arsyetimi i Gjykatës ishte se nuk kishte prova të mjaftueshme çka çoi në lirimin e protagonistëve të “Aferës Pronto”, mirëpo vetëm bisedat telefonike të publikuara, emrat e atyre që flasin, dhe temat e bisedave, janë dëshmi të pakontestueshme e prova të qarta se krimi e klientela po qeveris, dhe janë aty përbrenda institucioneve të drejtësisë.

    Aty ku padrejtësia shpallet publikisht, nevoja për ndryshim është më e madhe se kurrë. Aty ku krimi sundon i pashqetësuar, zemrat e viktimave të padrejtësisë vlojnë. Lirimi i këtyre personave është dëshmia më e lartë se institucionet tona janë të kapura dhe është nevojë urgjente që të çlirohen. Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka prioritet të saj luftën kundër kapjes së shtetit, gjë që do të zbatohet e do të jetë angazhim kryesor gjatë qeverisjes Kurti. Çlirimi i shtetit dhe institucioneve, dënimi i fajtorëve të pushtetshëm, do të sjellin në Kosovë drejtësi, zhvillim ekonomik, barazi e besim tek shteti e tek e ardhmje”, kanë shkruar nga LV.

    Sipas Lëvizjes, rastet e tilla po tregojnë ngutjen e kapësve të shtetit që t’i mbyllin në gjykata rastet para se të krijohen institucionet e reja.

    “Raste të tilla shumë të rënda për vendin dhe shoqërinë po tregojnë ngutjen e kapësve të shtetit për t’i mbyllur çështjet me gjykatat para se të krijohen institucionet e reja. Por njëkohësisht këto raste gjykime skandaloze bëjnë edhe më e ngutshme konstituimin e qeverisë në mënyrë që shteti i së drejtës të fillojë së funksionuari dhe gjyqësori të çkapet, e jo të mbetët vetëm legjitimues i kriminelëve të cilët po vazhdon t’i certifikojë me vulën e pafajësisë si njerëzit më të ndershëm”, shkruhet në reagim.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!