Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani ka theksuar se LDK është e gatshme për vazhdimin e bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje.
Osmani ka cekur se një vullnet i tillë për bashkëqeverisje me VV-në u konfirmua edhe gjatë ditës së sotme në mbledhjen e Grupit Parlamentar dhe atë të Kryesisë të kësaj partie.
“LDK ka vullnet për bashkëqeverisje me VV-në dhe kjo sot u konfirmua në takim me deputetët, të cilët bartin barrën e vullnetit qytetar, si dhe në takim me Kryesinë, si organ përfaqësues e vendimmarrës. Takimet duhet të vazhdojnë, besoj qysh nesër dhe të gjendet sa më shpejt një zgjidhje në përputhje me interesat e qytetarëve dhe te vendit”, tha ajo për Blic.
Osmani ka komentuar edhe ‘ultimatumin’ e presidentit Hashim Thaçi për kryetarin e VV-së Albin Kurti, ku thuhej se ky i fundit do të duhej të dërgonte brenda 48 orësh emrin e kandidatit për Kryeministër.
Ajo thotë se Presidenti nuk ka të drejtë të caktojë ultimatume dhe as afate për konsultime.
“Presidenti nuk ka të drejtë të caktojë ultimatume e as afate për konsultime rreth mandatarit për Kryeministër. As Kushtetuta, e as vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk ja japin një te drejte te tille” ka thënë Osmani.
Gjatë ditës së sotme Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e grupit Parlamentar dhe atë të Kryesisë ku u vendos përfundimisht për vazhdimin e bisedimeve për koalicion qeverisës me VV-në.