Emisioni investigativ sjell apelin e parë për ndihmë për vitin 2020 të familjes Vuka në fshatin Katund i Vjetër në Rubik, Bashkia Mirditë.
Pingul, vetëm pak metra mbi banesën e saj ndodhet një masiv i madh shkëmbi, i cili hera-herës ka dalë më në pah, duke e rrezikuar atë.
Kryefamiljari i trembet rrëshqitjes dhe thotë se ky masiv mund t’u shembë shtëpinë dhe të marrë jetët e familjes së vet e cila përbëhet nga pesë anëtarë.
Ai shprehet se plasaritjet apo shkëputjet e pjesëve të shkëmbit kanë ardhur si pasojë e tërmetit të parë të shtatorit.
Sipas tij, një vit më parë, kryefamiljari ka përcjellë ankesën në institucione, por nuk është marrë asnjë masë.
Emisioni “BOOM” ka intervistuar dy bashkëshortët Gjon dhe Luljeta Vuka .
Për ta, situata është shumë serioze. Shkëmbi, sipas tyre, mund t’i zërë poshtë nga momenti në moment, madje edhe në oborr apo në kopsht.
Gjon Vuka: Problemet i kemi nga tërmeti. Është plasaritur ky guri. Unë këtë e vuaj cdo natë e cdo ditë, nga frika që do bjerë mbi shtëpi. Unë kërkoj ndihmë. Në fillim kam trokitur te Njësia Bashkiake Rubik. Më ka thënë që do e cojmë në Rrëshen te emergjencat. Përgjigje nuk më ka ardhur. Situata është shumë më e keqe.
Luljeta Vuka: Sa herë që lëvizin ( gurët) kemi frikë kur dalim në oborr. Është shumë e frikshme. Përditë rrëshqet. Ndoshta të zë në kopsht. Nuk mund të përdorim as mjete primitive, vetëm një mur, një gardh.
Pas bisedës me familjarët “BOOM” iu drejtua Njësisë Administrative Rubik për të mësuar se çfarë është bërë me ankesën e familjës Vuka, por aty, edhe pse një ditë normale pune, nuk u pa asnjë punonjës në zyra brenda orarit.
Të gjitha dyert e institucionit ishin të mbyllura. Pas pak minutash, pranë Njësisë afrohet një punonjëse e tatim-taksave, e cila thotë se kolëgët e saj i çoi ajo me makinë te banesa e administratores për vizitë, me rastin e një operacioni që ajo kishte bërë.
Pasi foli në telefon me sekretaren e institucionit, na tha se ankesa është dërguar në Bashki.
Punonjësja: Administratorja është bërë operacion. Ka një muaj që është me leje dhe punonjësit i çova unë atje me makinë dhe po pres të shkoj t’i marr.
Gazetari: Ne interesohemi për rastin e një familjeje në Katund të Vjetër, banesa e të cilëve dhe vëtë jeta e tyre, rrezikohet nga një masiv shkëmbi.
Punonjësja: Ne i marrim ankesat këtu dhe i përcjellim te Bashkia e madhe.
(Telefonon sekretaren e njësisë)
Punonjësja: A di gjë? A ka bërë kërkesë Gjon Vuka nga Katund i Vjetër? Ka rrezik nga shkëmbi. I ke dërguar në Rrëshen?
Punonjësja: Sekretarja thotë që unë i kam dërguar në Rrëshen. Ne nuk kemi buxhet. Varemi nga buxheti i bashkisë.
Gazetario i “BOOM” ka shkuar për të kërkuar informacion te Bashkia Mirditë dhe ka intervistuar shefin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
Pasi i shpjeguam situatën, ai u shpreh se ankesa apo kërkesa jo se është lënë në harresë, por se zona në fjalë nuk hyn në zonat me rrezikshmëri të lartë.
Preng Bardhaj: Jam dakord me shqetësimin tuaj. Ne, jo se e kemi lënë në harresë këtë problem, por zona në fjalë, në bazë të studimit gjeologjik, nuk hyn në zonat me rrezikshmëri të lartë. Do ta kemi parasysh që të fusim edhe zona të tjera. Do ta vlerësojmë. Do të kërkojmë të ngrihet një grup pune, të shkojmë ta verifikojmë në vend dhe pasi të relatojmë për situatën konkrete, do të përpilojmë një urdhër dhe do të kërkojmë nëpërmjet Prefektit që të vijë urgjentisht Studimi Gjeologjik Shqiptar dhe të përcaktojë shkallën e rrezikshmërisë . Nëse këto shkëmbinj janë të lëvizshëm do të zhvendosim banorët në një strehim të përkohshëm. Do t’i kërkojmë ndihmë ushtrisë që të marrë masa.
Stafi i emisionit “Boom” ka kryer filmimet më 6 nëntor 2019 dhe herë pas here ka patur kontakte si me familjen Vuka por edhe me vetë shefin e Mbrojtjes Civile, Mirditë, duke u interesuar mbi çdo hap të mundshëm për të ndërhyrë nga ana e institucioneve, ku ende nuk është bërë asgjë konkrete.
“Boom” disponon vetëm disa fotografi të dërguara nga ana e shefit të Mbrojtjes Civile ku shihen punonjës me çadra që kanë shkuar dy ditë pas stafit tonë për të parë terrenin, një email dërguar Prefektit Qarku Lezhë ku kërkohet një studim gjeologjik-inxhinierik nga Shërbimi Gjeologjik dhe një kërkesë për mbështetje dt.6 dhjetor 2019 drejtuar po Prefektit të Qarkut Lezhë nga Bashkia Mirditë, ku kërkohet ndërhyrje me specialistë xhenierë në këtë terren.
Shefi i emergjencave na ktheu përgjigje më 12 dhjetor: Tani sa përfundoi rikonicioni i specialistëve të xhenios të shkëmbi që rrezikon në Katund të Vjetër. Vëzhgim në vend për të parë situatën dhe si do veprojnë për ta shmangur. Bëjnë vlerësimin dhe përcaktojnë masat e specializuara që do merren për ta eleminuar”.
“BOOM” kontaktoi sërish me z.Gjon Vuka më 4 janar dhe pohoi se specialistët i kanë thënë se presin një urdhër nga ministria për të vepruar me mjete.