×
  • Lajme
  • Lajme

    Aktivizohet sërish Specialja, dërgon ftesën e parë për vitin 2020

    Reporteri
    07 Janar 2020 | 12:22

    Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agron Limani nga zona operative e Pashtrikut, është ftuar nga Gjykata Speciale.


    “… kam pranuar ftesë nga një gjykatë e cila ka marrë përsipër gjykimin e krimeve të luftës. Pasi vijë nga një vend ku forcat serbe pothuajse deshën të zhdukin tërë popullatën civile shqiptare, formimi i kësaj gjykate të krijon mendimin se një gjykatë e tillë kryesisht do të merret me gjenocidin serb të bërë në shumë pjesë të Kosovës. Por menjëherë zhgënjehesh, sepse e kupton se kjo gjykatë do të organizoj kryekëput gjykime kundër shqiptarëve”, ka njoftuar Limani.

    Ndër të tjera, ai ka përmendur edhe deputetët të cilat kanë vënë nënshkrimin për formimin e Gjykatës Speciale.

    “Nuk do të ndjehesha mirë, nëse në fund të këtij njoftimi nuk do të falënderoja ata të cilët e kurorëzuan këtë gjykatë, deputetët e Republikës së Kosovës dhe sponzorizuesit e tyre. Emrat e tyre padyshim do të skaliten me shkronja të ”arta” në analet e historisë dhe drejtësisë së Kosovës”, ka shkruar ai.

    Ky është njoftimi i plotë i Agron Limanit:

    Pasi është bërë e zakonshme të bëhen publike njoftimet e tilla, edhe unë dua të njoftoj se kam pranuar ftesë nga Gjykata Speciale për tu intervistuar. Pra, kam pranuar ftesë nga një gjykatë e cila ka marrë përsipër gjykimin e krimeve të luftës. Pasi vijë nga një vend ku forcat serbe pothuajse deshën të zhdukin tërë popullatën civile shqiptare, formimi i kësaj gjykate të krijon mendimin se një gjykatë e tillë kryesisht do të merret me gjenocidin serb të bërë në shumë pjesë të Kosovës. Por menjëherë zhgënjehesh, sepse e kupton se kjo gjykatë do të organizoj kryekëput gjykime kundër shqiptarëve.

    Me këtë rast, dua të falenderoj të gjithë ata, të cilët nocionit drejtësi, i humbën çdo vlerë, e sollën në një gjendje të tillë, e cila do tu shërbente si alibi ” miqëve” të Kosovës për të formuar një gjykatë të tillë një etnike, në të cilën nuk do të gjykohet asnje serb, pavarësisht krimeve të bëra në vendin tonë.

    Indiferenca shumëvjeqare e institucioneve tona karshi krimeve serbe, ka shërbyer si motiv i mjaftueshëm për formimin e kësaj gjykate diskriminuese kundërshqiptare.

    Gjate 20 viteve, Serbia në vazhdimësi fabrikoi gënjeshtra, kurse organet tona nuk arritën të dokumentonin krimet e luftës. Heshtja institucionale (vendore dhe ndërkombëtare) ishte mënyra më e mirë për mbulimin e krimeve serbe. Prandaj jo rastësisht serbët nga kriminel u kthyen në viktima.

    Bartësit e institucioneve tona, në vend që të formonin organe kompetente për të mbledhur fakte dhe dëshmi për krimet serbe, ata kryesisht u morën me pasurimin e tyre.

    Maksima ”ra kau shpëtoi shkau” i përgjigjet më së miri sjelljes së papërgjegjshme të institucioneve tona.

    Klasa jonë politike temën e krimeve serbe e aktualizonte sa herë kur kjo i shërbente për interes personal apo grupor, por asnjëherë nuk e trajtuan me seriozitetin e domosdoshëm institucional, trajtim i cili do tu sillte drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre.

    Historia më e re e Kosovës padyshim se do të shënojë në analet e saj një fenomen, me gjasë të paparë më parë , fenomenin sesi indifrenca e viktimës ndikon në shfajsimin gradual të kriminelit dhe me këtë suksesshëm bënë ndrrimin e pozicioneve mes viktimës dhe kriminelit.

    Nuk do të ndjehesha mirë, nëse në fund të këtij njoftimi nuk do të falenderoja ata të cilët e kurorëzuan këtë gjykatë, deputet e Republikës së Kosovës dhe sponzorizuesit e tyre. Emrat e tyre padyshim do të skaliten me shkronja të ”arta” në analet e historisë dhe drejtësisë së Kosovës.

    Me respekt,

    Agron Limani

    ZONA OPERATIVE E PASHTRIKUT BRIG. 124’’GANI PAQARIZI’’

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!