Sapo ka filluar takimi mes kreut të VV-së, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa.
Ky takim i tyre po ndodhë pas sa ditëve ‘idhnim’ . Albin Kurti sapo përfundoi një takim me Kryesinë e Partisë. Dje ai takoi edhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi që ia dha 48 orë afat për ta dërguar propozimin për mandatar.
Isa Mustafa ndërkaq takoi dje Grupin Parlamentar dhe Kryesinë e partisë.
Kujtojmë se VV dhe LDK nuk janë takuar nga koha kur Kurti publikoi videomesazhin e parë, ku fajësoi LDK-në për mosarritje të koalicionit qeverisës, dhe sidomos raportet mes dy subjekteve u thyen kur VV njëanshëm votoi Glauk Konjufcën kryekuvendar.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka konsideruar punë të kryer çështjen e kreut të Kuvendit të Kosovës, që sipas marrëveshjes së parë me LDK-në, i takonte partisë së Isa Mustafës.
Kurti i ka bërë publike edhe propozimet e tij për ministra ndërsa ka kërkuar nga Isa Mustafa që edhe ai t’i propozojë pesë emra.