Albin Kurti e ka parë si shpikje të Hashim Thaçit afatin 48 orësh për propozimin e mandatarit, pasi sipas tij, kjo çështje as që ishte diskutuar në takimin e shkurtër që dje kishte me Presidentin.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dje e ka takuar presidentin Hashim Thaçi ku kanë diskutuar për propozimin e mandatarit të qeverisë, dhe pas takimit Presidenti Thaçi tha se i jep afat 48 orë atij për ta propozuar mandatarin.
Ai sot ka mbledhur kryesinë e partisë së tij për të diskutuar rreth kësaj qështje dhe koalicionit me LDK’në, dhe pas takimit në një prononcim për REL ka thënë se afatin 48 orësh që Thaçi ia ka vënë atij për propozim të mandatarit, nuk ia kishte përmendur fare në takimin e djeshëm.
Madje për ta bërë edhe më të beshueshme këtë, Kurti ka përmendur edhe faktin se në takim kanë qenë gjashtë persona, dhe për këtë mund të pyetën edhe të tjerët.
“Gjatë takimit te djeshëm të shkurtë konsultativ, i cili nuk mund të ketë efekte ligjore, presidenti nuk ka përmendur kurrfarë afatesh dhe nuk e ka përmendur shprehjen ‘48 orë’, e që më vonë është mundur të lexohet në publikimin e tij në Facebook. Gjatë takimit, i cili ka zgjatur më pak se 6 minuta, në dhomë kemi qenë 6 persona”, tha Kurti.