Fehmi Musa është emër shumë i njohur për autoritet e sigurisë në vend. I dënuari për terrorizëm, në rastin ‘Badovci’ është arrestuar sërish mbrëmë nga Policia e Kosovës. Këtë herë ai po transportonte me veturën e tij ‘Tauran’, një grup refugjatësh palestinez.
Vetëm disa muaj pasi u shpall fajtorë për terrorizëm, nga Gjykata Themelore e Prishtinës, në rastin e njohur si ‘Badovci’, ‘taksisti’ Fehmi Musa është arrestuar sërish të martën në Prizren, shkruan Gazeta Online “Reporteri.net”.
Ai, siç mëson Reporteri.net, u kap nga Policia e Kosovës në fshatin Vermicë, teka po transportonte me veturën e tij një grup prej katër personazh refugjatë palestinezë.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
“Është arrestuar një person mashkull kosovar të cilit në veturën e tij të tipit ‘Tauran’ me targa kosovare i janë gjetur 4 migrantë”, tha për Reporteri.net, Shaban Osmanollaj, zëdhënësi i Policisë Rajonale në Prizren.
Tutje, sipas tij, edhe refugjatët palestinezë të gjetur në veturën e Musës, janë dërguar në mbajtje në Stacionin Policor për Mbikëqyrje të Kufirit në Vërmicë, në afërsi të vendit ku janë kapur.
Ndryshe, Fehmi Musa, me profesion taksist nga Fushë Kosova, në maj të vitit 2019 ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, me tre vite burim në rastin e njohur të terrorizmit si “Badovci”.
Për rastin e njëjtë, bashkë me Musen akuzoheshin dhe janë dënuar edhe një grup personash tjerë.
Supremja, me një vendim kishte veçuar nga lënda vetëm Musën, të cilin e kishte kthyer në rigjykim, derisa grupit tjetër ua kishte bërë të plotëfuqishëm vendimin e shkallës së parë.
Derisa, edhe në rigjykim Fehmi Musa u shpall fajtorë për veprën penale të ndihmës në shtytje në kryerjen e veprave terroriste.
Aktakuza ndaj Musës dhe të bashkakuzuarve të tij, Besnik Latifit, Gazmend Halitit, Milazim Haxhiajt, Enis Latifit ishte ngritur me 4 dhjetor 2015, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Në këtë rast, i akuzuar ka qenë i akuzuar edhe Betim Ibrahimaj, por që është larguar nga ndjekja, pasi i njëjti është raportuar të jetë në luftën në Siri. Ndërkohë që udhëtimi i tij në ISIS kishte ndodhur gjatë kohës sa Gjykata Themelore e Prishtinës i kishte caktuar atij arrestin shtëpiak.
Sipas aktakuzës, grupi i të akuzuarve në rastin ‘Badovci’, më 10 korrik 2015, kishin shkuar tek liqeni i Badovcit, që me ikonografin e terrorit të organizatës terroriste ISIS, ta incizojnë një video propaganduese, në të cilën kishin pasur për qëllim që ta lexojnë betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste “ISIS” dhe ta publikojnë këtë video në internet, për ta dëshmuar para botës shtrirjen e të ashtuquajturit “Shteti Islamik” në Republikën e Kosovës.
Musa po akuzohej se më 11 korrik 2015, rreth orës 02:00 të mëngjesit, kishte shkuar tek liqeni i Badovcit dhe me veturën e tij e kishte bartur të pandehurin Gazmend Haliti deri në fshatin Hajvali dhe të pandehurin Betim Ibrahimaj deri në Istog, edhe pse e kishte ditur qëllimin e qëndrimit të tyre tek liqeni i Badovcit, si dhe duke e ditur se me atë rast ata ishin arratisur nga policia.
Por, Fehmi Musa, siç mëson Reporteri.net, njihet edhe për një mori dyshimesh tjera të vepra penale të kryera nga ai. I arrestuar disa herë, po ashtu i dënuar në disa raste, Fehmi Musa dyshohet se u përfshi në të paktën 10 raste penale, përfshirë edhe në ato të terrorizmit. /Reporteri.net/.