Pas mbledhjes së Kryesisë së Vetëvendosjes, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci ka thënë se është marrë vendim që në ditët në vijim t’i dërgohet shkresë formale presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi me të mandatuarin e VV-së për kryeministër.
“Ne diskutuam dhe morëm vendim që në bazë të vendimit të Kushtetueses, Lëvizja Vetëvendosje në ditët në vijim do t’i dërgojë shkresë formale presidentit me të mandatuarin tonë”, ka thënë shkurt Nagavci.
E pyetur për bisedimet me VV-në, të cilat pritet të vazhdojnë edhe sot, Nagavci ka thënë se Kryesia i ka dhënë VV-së mandat të plotë për të diskutuar me LDK-në, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje.
“Ne presim të dimë cila është kërkesa e LDK-së, diskutimet do të vazhdojnë. Ne besojmë që edhe LDK të jenë të përkushtuar dhe të kemi marrëveshje sa më parë. Kryesia na ka dhënë mandat të plotë që të diskutojmë dhe të kemi një marrëveshje me LDK-në por, së pari duhet të dimë se çfarë po kërkon LDK”, ka thënë ndër të tjera Nagavci.