×
  • Lajme
  • Lajme

    Pacolli e shpërblen Gent Begollin për kalimin në AKR, ia bën vëllanë konsull

    Reporteri
    09 Janar 2020 | 22:20

    Ministria e Punëve të Jashtme ka vazhduar me rehatimin e familjarëve të anëtarëve të partisë, AKR-së, që udhëhiqet nga Behgjet Pacolli.


    Vëllai i Gent Begollit, Gramos Begolli, është emëruar konsull i Përgjithshëm në Konsullatën e Kosovës në Hamburg, raporton KTV.

    Kjo konsullatë është hapur në gusht të 2019-s.

    Pak ditë para fushatës zgjedhore të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, më 3 shtator të vitit të kaluar, Gent Begolli iu bashkua AKR-së së Behgjet Pacollit.

    KTV-ja ka provuar të vë kontakt me Gent Begollin, por ai nuk është përgjigjur në thirrjet e televizionit, nëse aderimi i tij në AKR, ndikoi që vëllai i tij Gramos Begolli të bëhet konsull.

    Përgjigje nuk ka dhënë as kabineti i ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli, me gjithë pyetjet e adresuara nga televizioni.

    sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie, Fitim Sadiku, në një përgjigje të shkurtër, ka treguar vetëm për datën e dekretimit të Begollit.

    “Gramos Begolli është dekretuar për konsull me datë 9 gusht 2019, pjesa e dytë e pyetjes që ka të bëjë me vëllain e tij nuk është pyetje së cilës ne mund t’i përgjigjemi”, ka thënë Fitim Sadiku – Sekretar i Përgjithshëm i MPJ-së

    Duke qenë pjesë e AAK-së, Gent Begolli, për një periudhë ka qenë edhe drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës.

    Më pas, në qershor të 2018-s ishte emëruar kryeshef i Telekomit të Kosovës, por vetëm disa muaj më pas, kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

    Në disa fotografi të publikuara në rrjetet sociale, në ceremoninë e hapjes solemne të Konsullatës në Hamburg, shihet edhe ish-këshilltari politik i ministrit Pacolli, Liridon Sadrija, i cili po ashtu u emërua konsull në Hamburg.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!