Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufica, i takon një partie, lideri i së cilit nuk kishte hezituar ta fyejë flamurin e Kosovës. E quante flamuri ‘lara-lara’. Por, për dallim nga shefi i tij i partisë, duket se Konjufca po e respekton këtë flamur. Të paktën tash kur është në pozitë shtetërore.
Një takim i Kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, me një diplomate gjermane po merr vëmendjen, jo për shkak të ndonjë rëndësie të takimit, por për shkak se në takim janë ekspozuar vetëm flamujt shtetërorë të Kosovës dhe Gjermanisë, shkruan Reporteri.net.
Në takimin në Kuvend me drejtoreshën për Evropën Jug-Lindore, Turqi dhe shtetet anëtare të Asociacionit Evropian për Tregti të Lirë në Ministrinë e Jashtme Gjermane, Susanne Schütz, Konjufca, nuk e ka mbajtur në asnjë kënd flamurin kombëtarë.
Të paktën, flamuri ‘Kuq e Zi’ nuk shihet në fotografitë e publikuara nga Zyra për Informim e Kuvendit.
Ndërkohë, njoftimi për takimin thotë se, Schütz uroi kryetarin Konjufca për zgjedhjen e tij në krye të institucionit më të lartë legjislativ të vendit, duke i dëshiruar atij suksese në detyrën e re institucionale.
Në takim u diskutua për bashkëpunimin e shkëlqyer midis Kosovës dhe Gjermanisë në të gjitha fushat, si dhe për mundësitë e avancimit të mëtejmë të tij në të ardhmen.
Duke falënderuar diplomaten gjermane për mbështetjen e gjithanshme të Gjermanisë për Kosovën, kryeparlamentari Konjufca vlerësoi lart rolin e Berlinit zyrtar si në konsolidimin e brendshëm institucional e demokratik të shtetit të Kosovës, ashtu edhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të tij, thekson kumtesa.
Gjatë takimit, Schütz shoqërohej nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt.