Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka kujtuar veprimtarët Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha në 36 vjetorin e rënies së tyre.
Thaçi ka shkruar se të dy ranë heroikisht duke dëshmuar vendosmërinë e tyre për arritjen e idealit jetësor.
“Para 36 viteve, dy veprimtarë të shquar të lëvizjes kombëtare, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, ranë heroikisht në përballje me forcat policore jugosllave, duke dëshmuar vendosmërinë supreme për arritjen e idealit të tyre jetësor, çlirimin e Kosovës. Rexhepi dhe Nuhiu ishin shembull i unitetit të qëllimit të gjeneratave të ndryshme në moshë, por që gjithçka vunë në shërbim të atdheut”, ka shkruar ai.
Malën e Berishën i ka kujtuar edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.
Haradinaj përmes një postimi në Facebook ka shkruar se ata ishin arkitektët e rrugës për çlirim.
“Vite e shekuj do të kalojnë, e vepra e tyre atdhetare, do të përkujtohet me respektin më të madh nga secili shqiptarë. Në 36 vjetorin e rënies së tyre heroike, ne nderojmë aktivitetin e tyre për liri, shpirtin e tyre militant e liridashës, vendosmërinë dhe qëndrimin e tyre deri në frymën e fundit”, ka shkruar ai.