Tash gjithcka rreth një koalcioni qeverises, VV dhe LDK ka mbetur pezull dhe është shndërruar një lojë nervash. Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje ishin takuar edhe para dy ditësh, në një përpjekje për të arritur marrëveshje qeverisëse. Por, qëndrimet i kishin krejtësisht larg njëra-tjetrës, shkruan Reporteri.net.
Nga takimi i fundit nuk ka mbetur asnjë datë tjetër e mundshme për vazhdimin e negociatave. Tash duket se kemi hyrë sërish në një lojë nervash, ku në avantazh duket se është LDK-ja meqë ka ofertuar dhe ka kërkuar nga VV që ta thërras vetëm kur e pranon ofertën.
Më herët ishte Kurti ai që bënte presion me video mesazhe duke e fajësuar LDK-në se po e dështon marrëveshjen. Bile tha se arritja e një marrëveshje ‘nuk varët nga ai’.
Tash më shumë se tre muaj të dy partitë transmetojnë shpresa në popull se do të arrijnë një marrëveshje.
Por, zgjatja e negociatave ka bërë që të shtohet mllefi në mesin e qytetarëve, shkruan Reporteri.
LDK-ja po insiston që gjithçka të kthehet para 26 dhjetorit, e në anën tjetër Vetëvendosje insiston që të bisedohet bazuar në rrethanat e krijuara pas 26 dhjetorit.
Siç meson Reporteri.net, nga burime të sigurta brenda të dy subjekteve, pika që po e bllokon marrëveshjen është Kryeparlamentari.
Në takimin e fundit, Isa Mustafa ka propozuar që ata ta kenë Kryetarin e Kuvendit, pra të tërhiqet Konjufca dhe të zgjedhet një tjetër nga LDK-ja, Presidentin dhe ministritë të ndahën 5 më 5. Gjithnjë, duke e theksuar se LDK-ja do ta kthente një ministri kur të zgjidhej Presidenti i tyre.
Sipas burimeve të Gazetës Online “Reporteri”, Vetëvendosje ka thënë se çështja e Kryetarit të Kuvendit për ta është e kryer.
Ata kanë thënë se Glauk Konjufca nuk tërhiqet dhe se mund të diskutohet për kushte të reja. Madje ka qenë e gatshme që ta jap edhe postin e Presidentit dhe 5 ministri.
LDK nuk ka pranuar një variant të tillë, pasi ka konsideruar se me këtë VV po merr të dy pozita të larta institucionale, ndërkaq LDK po mbetet me një pozicion që mund të jetë edhe i pagarantuar pas një viti, posti i Presidentit.
Duke parë që VV është e vendosur ta mbajë pozicionin e Kryetarit të Kuvendit, LDK-ja ka thënë se nuk lëviz nga qendrimet dhe se VV mund ta kontaktojë vetëm në momentin kur është e gatshme ta pranojë këtë ofertë të saj.
Vetëm këtë javë VV e LDK kanë mbajtur tri takime radhazi që kanë zgjatur me nga 3 orë, por pa rezultat.
Me gjithë takimet dhe tendencat për të pasur një marrëveshje, ata nuk kanë kursyer aspak gjuhën e ashpër mes vete nepër rrjete sociale e debate televizive.
Nuk dihet ende se kur do të ndodhin takimet e radhës mes tyre. Presidenti Thaçi ende nuk ia ka dhënë mandatin Kurtit, por e ka paralajmëruar sot se mund të ndodhë shumë shpejt kjo./Reporteri.net