×
  • Lajme
  • Lajme

    Konjufca quhet për herë të parë “Shkëlqësia Juaj”, urohet nga homologu slloven

    Reporteri
    13 Janar 2020 | 15:13

    Kryetari i Kuvendit Kombëtar të Sllovenisë, Dejan Zidan, ka uruar kryeparlamentarin Glauk Konjufca, me rastin e zgjedhjes së tij në krye të Kuvendit Republikës së Kosovës.


    Në telegramin e urimit thuhet se Kuvendi Kombëtar i Sllovenisë do të jetë gjithmonë i gatshëm për bashkëpunim duke ndarë njohuritë e kërkuara, përvojën dhe praktikat e mira.

    “Njëkohësisht, do të dëshiroja t’ju siguroja se Republika e Sllovenisë do të vazhdojë me mbështetje të fuqishme ndaj progresit të vendit tuaj në procesin e zgjerimit euro-atlantik, dinamika e së cilit është me rendësi të veçantë në kohen kur jemi duke u ballafaquar me sfidat globale dhe rajonale që janë gjithmonë në rritje”, thuhet mes tjerash në telegram, njofton Kuvendi i Kosovës.

    Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës me 26 dhjetor të 2019-ës. Ky është urimi i parë zyrtar nga një homolog e që nis me hyrjen e famshme “Shkëlqësia Juaj”.

    Më poshtë e gjeni të plotë telegramin e urimit të kryetarit të Kuvendit të Sllovenisë, Dejan Zidan:

    Shkëlqesia Juaj,

    Në emrin tim personal dhe të Kuvendit Kombëtar të Republikës së Sllovenisë, më lejoni t’ju përcjelli urimet e sinqerta për zgjedhjen në postin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Unë jam i bindur që do t’i përkushtoheni përmbushjes së qëllimeve të caktuara me zgjuarsi dhe të bëni përpjekje të mëdha për realizimin e tyre. Ju dëshiroj suksese në kryerjen e përgjegjshme të punës suaj.

    Me këtë rast, dëshiroj të shpreh sa jam i kënaqur me marrëdhëniet tradicionalisht të mira ndërmjet Republikës së Sllovenisë dhe Republikës së Kosovës. Unë jam i bindur se nëpërmjet një bashkëpunimi aktiv të dy parlamenteve, edhe në të ardhmen do të zhvillohet me sukses kjo marrëdhënie. Njëkohësisht, do të dëshiroja t’ju siguroja se Republika e Sllovenisë do të vazhdojë me mbështetje të fuqishme ndaj progresit të vendit tuaj në procesin e zgjerimit euro-atlantik, dinamika e së cilit është me rendësi të veçantë në kohen kur jemi duke u ballafaquar me sfidat globale dhe rajonale që janë gjithmonë në rritje.

    Lidhur me këtë, Kuvendi Kombëtar i Sllovenisë do të jetë gjithmonë i gatshëm për bashkëpunim duke ndarë njohuritë e kërkuara, përvojën dhe praktikat e mira.

    Shkëlqesia Juaj, ju lutem më lejoni t’ju dëshiroj sukses, lumturi dhe mirëqenie personale në vitin që sapo ka filluar.

    Ju lutem pranoni konsideratën time më të lart.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!