Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, i cili dikur nga VV-ja kritikohej se po i bënte argatin atëherë kryeministrit Hashim Thaçi, ka komentuar përplasjen e Zyrës së Presidentit me Lëvizjen Vetëvendosje.
Ani pse nofkën “baba” e mori nga koha kur konsiderohej i afërt me PDK-në, Hasani tani ka dalë në krah të Albin Kurtit, duke i dhënë të drejtë atij lidhur me marrjen e mandatit për kryeministër, gjë që po ia kërkon me ngulm Thaçi, shkruan Reporteri.net.
Sipas Enver Hasanit, presidenti Thaçi nuk ka të drejtë të kërkojë një gjë të tillë, pasi kjo nuk theksohet askund në Kushtetutë. Ai potencon se në demokracitë parlamentari, presidenti nuk ka fare pushtet.
“Pushtete janë legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori, ndërsa presidenti është garantues i balancimit të pushteteve ashtu siç e parasheh kushtetua. Teorikisht mund të shkoj në pakufi(afati për marrjen e mandatit”, ka thënë Hasani në RTV Dukagjini.
Ndërkohë, sot edhe Lëvizja Vetëvendosje iu përgjigj presidentit Thaçi, duke i bërë të ditur se, sipas tyre, çështja e marrjes së mandatit nuk ka afat dhe këtë gjë thonë se do ta bëjnë së shpejti.
Presidenti Thaçi, në anën tjetër, i ka dërguar letër së fundmi Albin Kurtit, ku i ka kërkuar ta sjell emrin e të mandatuarit për kryeministër për, siç thekson disa herë Thaçi, të krijohen sa më shpejtë institucionet.
Sidoqoftë, bllokada në bisedimet për koalicion është krijuar pasi dy partitë në takimin e fundit u ndanë mjaft hidhur, duke dalë në pah edhe pika të tjera që ndajnë Kurtin e Mustafën./Reporteri.net