×
  • Lajme
  • Lajme

    I arrestuari për ngacmim seksual të dy 16 vjeçareve në Vushtrri, ishte kandidat i VV-së

    Reporteri
    21 Janar 2020 | 12:33

    Gazeta Online “Reporteri.net”, mbrëmë raportoi se si një profesor i Edukatës Fizike në Gjimnazin “Eqrem Çabej” në Vushtrri, është arrestuar pasi ngacmoi seksualisht dy nxënëse 16 vjeçare.


    Rastin e ka konfirmuar mbrëmë për Reporteri.net edhe Policia e Kosovës.

    “Me datë 20 janar, një prind së bashku me një nxënëse të shkollës ‘Eqrem Çabej’ në Vushtrri kanë raportuar në polici se nxënësja është ngacmuar seksualisht nga arsimtari i edukatës fizike, i cili e ka prekur në trup si dhe i ka thënë fjalë ngacmuese. Arsimtari është arrestuar nga policia dhe me urdhër të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve”, kanë thënë nga Policia për Reporterin.

    Reporteri.net mëson se profesori i arrestuar është Hyseni Ademi, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për asamble në Komunën e Vushtrrisë.

    Nga burime policore në Mitrovicë, Reporteri.net, ka mësuar se e mitura në polici ishte paraqitur bashkë me prindin e saj, ku kishte deklaruar se derisa ndodhej në korridorin e shkollës ishte prekur në gjoks, por edhe në shpinë nga profesori. Për më tepër ajo kishte deklaruar se ky nuk ishte rasti i parë i ngacmimit, pasi edhe më parë e kishte ngacmuar me fjalë.

    Ndërkohë, gazeta ka biseduar edhe me disa nxënës të tjerë, të cilët në kushte anonimiteti e kanë konfirmuar një gjë të tillë.

    Ndryshe, fenomeni i ngacmimit seksual në shkolla është mjaft shqetësues në Kosovë. Sidomos pas publikimit të një rasti në Drenas, ku nxënësja u bë viktimë e mësuesit e pastaj dhe policit, bëri që shumë raste të tjera të zbulohen. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!