Prej fillimjavës, Spanja po përshkohet nga një stuhi e fortë me përmbytje, shira dhe borë që kanë vrarë të paktën 5 persona dhe disa mbeten të zhdukur.
Moti i stuhishëm u ka marrë jetën të paktën pesë personave në qytetet bregdetare të Spanjës.
Stuhia me emrin “Gloria” solli në provincat e ndryshme të vendit erëra të forta, dallgë deri 7 metra të larta dhe rrezikun e orteqeve të dëborës.
Një dukuri e pazakontë u shfaq në resortet e Katalonjës, ku rrugicat dhe muret e godinave u përfshinë nga shkuma e detit.
Në rrethinat e Valencias, Ishujve Balerikë dhe kryesisht në Barcelonë, uji i kripur i detit përmbyti afro 30 kilometra katrorë ara të mbjella me oriz dhe banesa të tëra në provincat verilindore.
Autoritetet kanë udhëzuar qytetarët të shmangin shtëtitoret buzë detit.
“Situata aktualisht duket e qetë, çfarë mund të ndodhë nuk e dimë. Njerëzit janë vënë në alarm dhe kanë marrë masat,” deklaron një banore e të Haronas, qytet ku mijëra familje kanë mbetur pa energji si pasojë e përmbytjeve.
Me kalimin e orëve, stuhia po lëviz drejt vargmaleve Pirenej.
Si Spanja, edhe jugu i Francës kanë mobilizuar forca shtesë të policisë dhe zjarrfikëse, të cilat qëndrojnë në gatishmëri të lartë prej përmbytjeve të tetorit e kaluar.
Stuhia dimërore “Gloria” është quajtur një nga më të ashprat e rajonit në katër dekadat e fundit.