Situatë alarmante po mbretëron në Hubei, qendra e shpërthimit të koronavirusit kinez, ndërkohë që numri i të vdekurve ka shkuar në 26.
tNë qytet janë ndalur trenat, aeroplanët, tragetet, autobuzët dhe në rrugë qarkullojnë vetëm ambulanca të Kryqit të Kuq.
Përmes një videoje, CNN shpjegon fillesat e virusit të mistershëm shumë të ngjashëm me Sars-in, si dhe argumentet shkencore mbi gjenezën e tij. Origjina e virusit besohet të ketë qenë ky treg kafshësh të gjalla në Wuhan.
Pamjet e regjistruara nga një klient i shqetësuar në fillim të dhjetorit tregojnë se atje shiteshin veç të tjerash edhe zogj të rrjepur, gjarpërinj e qen-rakunë, dhe janë të forta dyshimet se virusi mund të ketë kaluar pikërisht nga shpendët dhe kafshët tek njerëzit, për tu përhapur pastaj frikshëm në mbarë rajonin.
CNN thotë se nuk i ka verifikuar në mënyrë të pavarur këto pamje të postuara në mediat sociale kineze, por kur kontaktoi me shitësit e këtij tregu, ata nuk bënë asnjë koment.
Leo Poon, ekspert pranë Universitetit të Hong Kongut dhe një nga të parët që arriti të ckodonte koronavirusin e Sars-it, beson se ky shpërthim epidemik mund të jetë shkaktuar nga një virus shtazor, i cili më pas ka arritur të transferohet tek njerëzit. Ndërmjet viteve 2002-2003, Sarsi infektoi më shumë se 8000 vetë në mbarë botën, vrau 774, ndërsa epidemia arriti të përhapej në plot 37 vende të ndryshme. /Reporteri.net